Komanda e operacioneve në Libi i kalon NATO-s. Ministri i jashtëm i Gedafit ikën në
Londër
(31.03.2011 RV)Që nga mëngjesi i sotëm, NATO-ja ka në dorë komandën e operacioneve
në Libi, që tani quhen “Mbrojtje e përbashkët”. Vikari apostolik i Tripolit njofton
se gjatë bombardimeve të koalicionit kanë humbur jetën 40 civilë. Pakti i Atlantikut
premton se do ta hetojë çështjen. Ndërkaq, rebelët bëjnë të ditur se bomardimet e
Gedafit në Misratë kanë shkaktuar së paku 20 viktima. Kryengritësit janë vendosur
40 km nga qyteti i Bregës, nga ku përgatiten për kundërofensivën. Po sot, zëdhënësi
i qeverisë deklaroi se Gedafi e ndjekësit e tij do të qëndrojnë deri në fund në Libi.
Deklarata u bë menjëherë pas ikjes së ministrit të jashtëm, Musa Kusa në Londër, ditën
e djeshme. Arratisja e tij konsiderohet shumë e rëndësishme, pasi është një nga personat
që dinë më shumë mbi regjimin e Gedafit. Në fakt, thuhet se ka marrë me vete dokumente
të rëndësishme. Por nuk duhet harruar edhe se ai konsiderohet një nga protagonistët
e atentatit të Lokerbit në vitin 1988, kur nga një bombë e vendosur në avionin Pan
Am nga libianët, gjetën vdekjen 270 vetë. Autoritetet britanike deklaruan se për këtë
arsye, nuk i është premtuar asnjë lloj mbrojtjeje.