2011-03-30 18:17:11

Qeveria japoneze kërkon mbylljen e të gjithë reaktorëve të Fukushimës


(30.01.2011 RV)Në Japoni rritet alarmi për emergjencën bërthamore. Qeveria e Tokios kërkoi mbylljen e të gjithë reaktorëve të Fukushimës dhe dha urdhër për të kontrolluar të gjitha centralet bërthamore të vendit. Ndër vullnetarët, që punojnë me rrezik jete për të shmangur një katastrofë të mundshme, janë edhe disa të krishterë, siç referon për agjensinë Fides, ipeshkvi i Sendait, qytetit më të dëmtuar nga tërmeti e tsunami. Pikërisht për ta, për “heronjtë e krishterë të Fukushimës” (siç quhen), ditët e kaluara u organizua në Singapur, një mbrëmje lutjeje e bashkësisë së krishterë ungjillore.
Ndërkaq, 300 m larg centralit, niveli i jodit radioaktiv në det është 3.355 herë më i lartë se kufiri i caktuar me ligj. Greenpeace njofton se do të matet edhe radioaktiviteti i ushqimeve, duke pasur parasysh gjithsesi se periudha e përgjysmimit të jodit është tetë ditë, prandaj problemet që mund të shkaktojë janë relativisht të vogla. Ndryshe do të ishte puna nëse do të shpërthente bërthama e reaktorit dhe do të çlirohej plutonium, periudha e përgjysmimit të të cilit është 24 mijë vjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.