2011-03-30 18:16:08

Imzot Menini: "Road map" për Libinë


(30.01.2011 RV)Në Konferencën e djeshme të Londrës mbi Libinë mori pjesë edhe Selia e Shenjtë, e përfaqësuar nga Nunci Apostolik në Britaninë e Madhe, imzot Antonio Menini. Atij ia drejtuam mikrofonin për një koment:RealAudioMP3
U nënvizua se operacionet ushtarake janë të ligjshme – pra kanë edhe kufi – për t’iu përgjigjur nevojës për respektimin e të drejtave qytetare dhe për mbrojtjen e civilëve. Sapo të plotësohet kjo kërkesë, veprimtaritë ushtarake duhet të ndalen. I rëndësishëm është krijimi i Grupit të Kontaktit për të përcaktuar perspektivën, apo hapat, që duhen bërë në të ardhmen për ndërtimin e një Libie të re. Ndihma humanitare, të paktën nga sa u tha, nuk do të kufizohet në përballimin e emergjencës, por edhe në ndërtimin e infrastrukturave, të urave, shtëpive, spitaleve etj.. Një tjetër fakt, që më duket i rëndësishëm, është se gjithçka do të koordinohet drejtpërdrejt nga sekretaria e përgjithshme e OKB-së, përmes një të dërguari të veçantë në Libi. Pra, mund të them se nëse pjesa politike e luftarake mbetet në duart e strukturave kryesisht ushtarake, përmasa humanitare duket se i referohet detyrës themelore të bashkësisë ndërkombëtare për t’u kujdesur për plotësimin e kërkesave të popullsisë.
Folët për Grupin e Kontaktit, ku do të marrin pjesë edhe Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Madje, mbledhja e ardhshme do të zhvillohet pikërisht në Katar. Sipas jush, ç’rëndësi kanë këto vende brenda Grupit?
Katari nënvizoi se dëshiron të luajë rolin e urës me vendet e tjera arabe, duke vënë në dukje mbështetjen e Lidhjes Arabe për rezolutën e OKB-së. Element tjetër i rëndësishëm: ky Grup Kontakti është i hapur, madje urohet që të marrin pjesë aktive në të Bashkimi Evropian, Bashkimi Afrikan, Organizata e Shteteve të Gjirit Persik e organizma të tjera ndërkombëtare. Natyrisht, do të ketë një bërthamë drejtuese, por do të kërkojë bashkëpunimin e të gjithëve, pasi detyra e kësaj bërthame do të jetë sidomos përvijimi i një plani për të ardhmen e Libisë, me hapa konkrete e etapa të përcaktuara së bashku me Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, pa përjashtuar asnjë pjesë tjetër të shoqërisë libiane, pra, asnjë grup etnik apo fisnor e aq më tepër, asnjë grup fetar, pavarësisht se pakicë.







All the contents on this site are copyrighted ©.