(30.03.2011 RV)I njohur me emrin Shën Gjoni i Shkallës (në greqisht Ἰωάννης
τῆς Κλίμακος) Shenjti lindi rreth vitit 579 në një vend të panjohur. Vdiq mbi Malin
Sinai në vitin 649. E nisi rrugën e jetës murgare në moshë fare të re, ndërsa në
moshën 60 vjeçare u zgjodh abat i manastirit ku jetonte dhe krijoi veprën e tij asketike
kryesore, titulluar “Klimax tou Paradeisou” apo “Shkalla për në Parajsë”. Prej këndej
nisi të thirrej “Klimaku” që do të thotë “ai i shkallës”, epitet që mbeti i lidhur
përgjithnjë me emrin e tij. Për shenjtin kemi shumë pak të dhëna: edhe data e lindjes
dhe e vdekjes nuk janë të sigurta. Nuk i njihet as familja, as vendi ku pa dritën
së pari. Dihet vetëm se pati një vëlla me emrin Gjergj, edhe ai murg. Gjoni jetoi
në atë kohë kur Italia ishte e ndarë ndërmjet Longobardëve e Perandorisë së Lindjes:
pasardhësit e Klodoveut sundonin Galinë e lashtë, që tashmë, si tokë e frankëve, njihej
me emrin Francë; Spanja sundohej nga mbretërit vizigotë. E pikërisht në këtë kohë,
në Arabi nis të bëhet i njohur emri i Muhametit (578- 632). Kur në viset e lartpërmendura
ndodhin këto ngjarje, Gjonin e gjejmë në gadishullin e Sinait, murg 30 vjeçar, ndërmjet
shumë murgjërve, ca të lidhur me jetën e bashkësisë, të tjerë, mbyllur në lutje vetmitare.
Ai i provon të dyja këto forma të jetës murgare e pastaj zë vend në manastirin e Raithu,
në jug-lindje të zonës. Por sapo mbush 60 vjetët, thirret të drejtojë një manastir
tjetër më të madh e më të njohur: atë të Malit Sinai. E atje, i nxitur nga abati i
Raithu-së, përfundon “Shkallën” që do të bëhej tepër popullore e do të përkthehej
në gjuhën latine, sirike, armene, arabe e sllave. Gjoni nuk luajti kurrë nga manastiri,
ndërsa fama e tij mori dhenë, duke u përhapur në mbarë botën e krishterë, falë librit
e mësimeve të tij, të cilat në të vërtetë nuk kërkonin popullaritet të lehtë e nuk
falnin askënd. Të gjithë ata që besojnë se jeta e murgut s’është tjetër, veçse një
mënyrë e devoçme për të kaluar kohën, Shenjti i sqaron se kjo jetë është një shtrëngim
i paprerë i natyrës njerëzore e një frenim i përhershëm i ndjenjave. Por një shtrëngim
i tillë ngjall shpresa të mëdha, sepse lotët e pendimit janë gati-gati si një pagëzim
i ri. “Shkalla” e tij përbëhet nga tridhjetë këmbë e simbolizon rrugën që duhet
të bëjë shpirti i njeriut drejt përsosurisë. Në këtë vepër Shën Gjoni na la trashigim
një sintezë të qartë të doktrinës shpirtërore të pararendësve të tij dhe një dëshmi
të shquar të jetës monastike dhe eremite. Kësaj vepre ai i shton edhe një doracak
për eprorët, për të cilin mendohet se u frymëzua nga nga një vepër e ngjashme, e pikërisht
nga “Rregulli baritor” i papës Gregori i Madh, përkthyer në greqisht në Antioki. Papa
Gregori e njohu Gjonin nga larg: i shkroi një letër plot me lëvdata dhe e ndihmoi
të zgjerojë strehën e shtegtarëve duke i dërguar të holla për 15 shtretër të rinj
së bashku me mbulesat përkatëse. Gjon Klimaku nisi t’u jepte mësim në manastirin e
tij, të gjithë atyre që dëshironin ta dëgjonin. Por dishepujt më të shumtë nuk i fitoi
me mësime. Ishte libri ai, që duke u përhapur anë-e-kënd botës së krishterë, ia shtoi
numrin e ithtarëve nga Lindja në Perëndim. “Shkalla” u bë një nga librat më të kërkuar
të kohës, u studiua me zell, për shkak të qartësisë dhe të sintezës doktrinore si
dhe për vlerën e përvojës vetjake të Gjonit. Ndonëse nuk dihet saktësisht data e vdekjes
së Shenjtit, si të krishterët e lindjes, ashtu edhe të perëndimit e përkujtojnë në
të njëjtën datë: më 30 mars. Emri Gjon vjen nga hebraishtja e do të thotë “dhuratë
e Zotit”; simbolet e Shën Gjon Klimakut janë shkopi baritor dhe shkalla.