2011-03-30 18:02:00

Benedikti XVI: Portret i Shën Alfons Maria de’ Liguorit


(30.03.2011 RV) Meshtari shenjt e muzikanti i talentuar, autor i himnit të Krishtlindjes: "Ti ulesh prej Parrizit", lindi në Napoli, më 27 shtator 1969. I pajisur me cilësi të spikatura intelektuale, kreu me sukses studimet e, që në moshën 19 vjeçare, nisi të ushtronte profesionin e avokaturës në gjykatë. Ishte avokati më i njohur i Napolit: për tetë vjet me radhë i fitoi të gjitha çështjet, që mbrojti. Fama dhe paratë, nuk ia shuan etjen e shpirtit, që synonte përsosurinë, në sa i duhej të takohej ditë për ditë me korrupsionin, padrejtësinë, krimin. Nuk mundi ta duronte më një mjedis të tillë. Pavarësisht nga kundërshtimet e të jatit, pas një gabimi gjyqësor, bërë pa dashje, braktisi profesionin dhe vendosi të bëhet meshtar, avokat i asaj drejtësie hyjnore që është përplot me mëshirë, që shfajson çdo fajtor e fal çdo mëkat, kur njeriu pendohet e kërkon hir.Studioi Shkrimin Shenjt, Historinë e Kishës e mistikën. Si fitoi kulturën e nevojshme teologjike, nisi edhe veprimtarinë letrare. Pas shugurimit meshtarak, në vitin 1726, iu kushtua i tëri ungjillëzimit në shoqërinë napolitane, kryesisht në gjirin e njerëzve të varfër e të thjeshtë, shpesh viktimë e veseve, që i çonin në veprime kriminale. Filloi, më pas, organizimin e “kapelave serotine”.
Tejet i nderuar për mirësinë dhe zellin baritor, më 1762 u emërua ipeshkëv i Shën Ages së Gotëve, shërbim që, pas sëmundjeve të vazhdueshme, të cilat nuk e lanë të qetë, e la, me lejën e Papës Piu VI.
Jetoi gjatë, 91 vjet. Vdiq në një nga shtëpitë e Kongregatës së Redentoristëve, themeluar prej tij, në Nocera dei Pagani, më 1 gusht 1787. Kur mësoi lajmin e vdekjes, Piu VI brohoriti: “Ishte shenjt!”. E nuk u gabua. Më 1839, Don Alfonsi u shpall shenjt; më 1871, Dijetar i Kishës. Papa Piu XII e shpalli “Pajtor të të gjithë rrëfyesëve e moralistëve”.
Vepra kryesore e Shën Alfonsit titullohet “Teologjia morale”. Por ai la edhe shumë shkrime të tjera, me stil të rrjedhshëm, shumë të këndshme për t’u lexuar, si “Maksima të amshuara”; “Lumnitë e Marisë” dhe “Praktika për të dashur Jezu Krishtin”, sintezë e mendimit e kryevepër e Shenjtit. Së fundi, ashtu si Shën Françesku i Sales, pohoi vazdimisht se të gjithë mund të bëhen shenjtorë: “Regulltari si rregulltar, shekullari si shekullar, prifti si prift, burri i martuar, si zot shtëpie, tregtari si tregtar, ushtari si ushtar e kështu, të gjithë, sipas profesioneve e gjendjeve shoqërore”(Veprat asketike I, Romë, 1933, fq. 79).







All the contents on this site are copyrighted ©.