2011-03-29 17:16:18

“Vizioni për një Libi Demokratike”: plani i zhvillimit të Libisë pas Gedafit


(29.03.2011 RV)U zhvillua në Londër konferenca mbi vendin arab, me pjesëmarrjen e rreth 40 ministrave të jashtëm e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Nuk mori pjesë Bashkimi Afrikan, ndërsa Lidhja Arabe dërgoi zv.sekretarin. E pranishme, edhe Selia e Shenjtë, që përfaqësohej nga Nunci Apostolik në Britaninë e Madhe, imzot Antonio Menini.
Quhet “Vizioni për një Libi Demokratike” plani i zhvillimit të Libisë pas Gedafit, që paraqiti sot në Londër Këshilli Kombëtar i Tranzicionit. Në bazën e tij, miratimi i Kushtetutës dhe modelimi i shtetit sipas parimit të ndarjes së pushteteve. Pika të tjera të rëndësishme janë zgjedhjet, garantimi i të drejtave themelore të njeriut, shteti ligjor.
Plani i opozitorëve libianë përkon me dëshirën e shteteve perëndimore për ta lënë Libinë në duart e popullit të vet. Që mbrëmë, presidenti amerikan Barak Obama theksoi se Uashingtoni do të largohet nga komanda e koalicionit sapo të vendoset përfundimisht respektimi i zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi, siç parashikon rezoluta e OKB-së. Ky qëndrim u përsërit edhe sot nga sekretarja e shtetit, Hilari Klinton.
Ndërsa rebelët i afrohen Sirtes, pavarësisht se sot u zmbrapsën nga forcat e Gedafit, ky i fundit, me një letër dërguar në konferencën e Londrës, u kërkon fuqive perëndimore të lejojnë administrimin e krizës nga ana e Bashkimit Afrikan, duke mos harruar ta krahasojë operacionin “Odiseja në agim” me fushatat e Hitlerit në Evropë. Ndërkaq, vazhdon masakrën në Misratë, ku gjatë nëntë ditëve të luftimeve me rebelët, janë vrarë mëse 120 vetë.
Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” shkruan sot se Gedafi duhet të largohet menjëherë, pasi ka humbur legjitimitetin, duke u bërë jehonë fjalëve të imzot Meninit në konferencën e Londrës, ku përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kërkoi një “road map” për Libinë, pra një plan, ku të përfshihen të gjitha hapat për armëpushimin e rindërtimin e vendit, pas Gedafit. E duket se po përvijohet një dalje e kolonelit “me nder” nga loja, përmes strehimit në njërin nga shtetet afrikane, që nuk bëjnë pjesë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.