2011-03-29 15:46:01

Lumnimi i Papës Gjon Pali II: priten 300 mijë shtegtarë


(29.03.2011 RV)U zhvillua sot në Romë një konferencë shtypi mbi lumnimin e Papës Gjon Pali II, në të cilën organizmi për shtegtimet kishtare “Opera Romana Pellegrinaggi” sqaroi disa çështje teknike e organizative.
Më 1 maj, në ditën e ngritjes së Papës Vojtila në nderimet e elterit, priten së paku 300 mijë shtegtarë, por Roma është gati të mirëpresë edhe më shumë. Po fuqizohen strukturat në zonën rreth Sheshit të Shën Pjetrit, ndërsa për të rinjtë po bëhen gati kampuse në Çivitavekia e në Fiumiçino, pranë, por jashtë kryeqytetit italian. Mëse 2.500 vullnetarë janë caktuar t’u japin informacion njerëzve, që do të vijnë ato ditë. Me shoqatën e pronarëve të hoteleve është nënshkruar një Kartë etike, për të shmangur spekullimet. Është ideuar një kartë, që quhet “JP2-pass” dhe kushton 18 euro, për të siguruar udhëtimet me autobuz, tram e metro, të cilat do të funksionojnë deri në orën 2 të natës. Karta ka vlerë triditore dhe parashikon një drekë të thjeshtë, që mund të merret me vete më 1 maj, si edhe informacionet e nevojshme për ngjarjet e lumnimit të Gjon Palit II. Atë ditë, njerëzit mund të hyjnë në shesh, duke filluar nga ora 5 e mëngjesit, pa biletë. Të shtunën në mbrëmje, pas lutjes në “Circo Massimo” të Romës, në orën 20.00, kishat e qendrës do të qëndrojnë hapur gjithë natën.







All the contents on this site are copyrighted ©.