2011-03-28 18:23:29

Rebelët libianë përparojnë drejt bunkerit të Gedafit. Nesër, konferenca e Londrës.


(28.03.2011 RV)Në Libi, rebelët vazhdojnë të përparojnë drejt perëndimit, duke e përqendruar vëmendjen në qytetin e Sirtes, ku ka lindur Muhamar Gedafi e ku ekziston një bazë e rëndësishme ushtarake, me vlerë strategjike dhe simbolike. Kështjella e regjimit gjendet në rrugën që çon nga Bengazi në Tripoli.
Megjithëse akoma nuk kanë hyrë në Sirte, të mbrojtur nga avionët e koalicionit perëndimor, kryengritësit kanë marrë në dorë shumë qytete si Es Sider, Ras Lanuf, Brega, Zueitina dhe Tobruku.
Në planin diplomatik, Rusia, e cila abstenoi gjatë votimit të rezolutës së 17 marsit për Libinë në OKB, nënvizoi sot, përmes ministrit të saj të jashtëm, se i konsideron sulmet perëndimore kundër forcave të Gedafit thjesht si ndihmë konkrete për opozitorët e tij e jo si zbatim të rezolutës, që parashikon vetëm mbrojtjen e civilëve. Natyrisht, reagoi menjëherë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, i cili përsëriti se qëllimi i ndërhyrjes është vetëm mbrojtja e civilëve.
Ndërkaq, Katari, që merr pjesë në operacionin libian me dy avionë, njohu Këshillin Kombëtar të Tranzicionit, me qendër në Bengazi, si përfaquesin ligjor të popullit të Libisë. Kryeministri turk, Erdogan propozoi të ndërhyjë si ndërmjetësues për armëpushimin ndërmjet palëve, që të shmanget një Irak, apo një Afganistan i dytë.
E në pritje të fjalimit të presidentit amerikan Barak Obama, që do të mbahet gjatë natës, me orën e Shqipërisë, sytë e botës janë drejtuar me shpresë mbi konferencën e nesërme në Londër, ku do të marrin pjesë krerët e diplomacive të 35 vendeve. Edhe Selia e Shenjtë do të jetë e pranishme si Vëzhguese, përfaqësuar nga Nunci Apostolik në Britaninë e Madhe, imzot Antonio Menini. Në konferencë do të diskutohen propozimet italo-gjermane dhe anglo-franceze për armëpushimin në Libi, mbi të cilat endet hija e ndarjes së vendit më dysh: Cirenajka në duart e kryengritësve dhe Tripolitania në duart e Gedafit. Por, të gjitha vendet e konsiderojnë këtë hipotezë si “dështim” të misionit aktual.







All the contents on this site are copyrighted ©.