2011-03-28 18:23:10

Ipeshkvijtë e Veriut të Afrikës, njëzëri me Papën, i thonë ‘jo’ luftës.


“Ipeshkvijtë e Afrikës së Veriut (Marok, Algjeri, Tunizi, Libi), të cilëve u duhet t’u bëjnë ballë proceseve të evolucionit historik në vendet arabe, e sidomos në Magreb, dëshirojnë të përsërisin thirrjen e tyre për t’i dhënë fund këtij konflikti të dhimbshëm, duke gjetur një rrugë të drejtë e të denjë për të gjithë. Prandaj bashkuan zërat me zërin e Papës, në thirrjen që bëri dje, gjatë lutjes së Engjëlit të Tënzot, njofton një komunikatë dërguar Agjensisë Fides, nënshkruar nga imzot Vincent Landel, kryeipeshkëv i Rabatit (Marok) dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës Veriore (Cerna).
Prelatët e kësaj Konference pranojnë se ngjarjet e fundit, që vijojnë të trondisin vendet e Magrebit, janë pasojë e dëshirës së ligjshme për liri, drejtësi e dinjitet, posaçërisht nga ana e breznive të reja. E kjo dëshirë gjen shprehjen e vet në kërkesën për t’u njohur si qytetarë, që janë në gjendje t’i marrin në dorë fatet e vendit e të vetat; që kërkojnë punë, për të jetuar si njerëz; që luftojnë kundër çdo forme të korrupsionit e të klientelizmit.Sot – vijon komunikata - era e ndryshimeve përshkon mbarë Libinë. Prandaj ne bashkohemi posaçërisht me vëllezërit ipeshkvij të Tripolit e të Bengazit, si dhe me të gjitha popullsitë e vendit. Edhe ipeshkvijtë e Veriut të Afrikës ripohojnë se janë kundër dhunës e kundër luftës. “E dimë se lufta nuk i zgjidh problemet e, kur shpërthen, është po aq e pakontrollueshme, sa shpërthimi i reaktorit bërthamor. Viktimat e para janë gjithnjë më të varfërit e më të pafatët. Përveç kësaj, duam s’duam, lufta në Lindjen e Mesme, e tani në Magreb, do të interpretohet gjithnjë si kryqëzatë. E kjo do të ketë pasoja të pashmangëshme mbi marrëdhëniet vëllazërore, që të krishterët kanë arritur të krijojnë me myslimanët në jetën e tyre të përditshme. Ipeshkvijtë e Cerna-s kërkojnë ndërmjetësim diplomatik dhe bëjnë thirrje për ndihma humanitare. “I lutemi të TejetLartit që t’i frymëzojë drejtuesit e kombeve të gjejnë shtegun, që çon në drejtësi e paqe” përfundon komunikata.







All the contents on this site are copyrighted ©.