2011-03-28 18:24:29

14 vjet pas Tragjedisë së Otrantos


(28.03.2011 RV)Kanë kaluar 14 vjet nga eksodi i dytë i shqiptarëve, të cilët të zhgënjyer nga falimentimi i skemave piramidale në vitin 1997, ikën sërish nga atdheu i tyre për të kërkuar jetë më të mirë. Vendi më i afërt qe Italia, e cila u përpoq ta zmbrapste këtë valë të dytë, pas asaj të viteve 91-92, duke dërguar në det anijet ushtarake. E kështu, deti u shndërrua në varrezë: pikërisht si sot, më 28 mars 1997, ditë e së Premtes së Madhe për katolikët, anija “Katër i Radës” u mbyt pas përplasjes me korvetën ushtarake italiane “Sibilla”. Nga personat, që ishin ngjeshur në anije për të lundruar drejt ëndrrës së tyre, vetëm 34 shpëtuan. Sipas versionit zyrtar viktimat janë 81, pasi aq trupa pa jetë u nxorrën nga deti, por në të vërtetë, ishin 108 ata që u zhdukën.
Sot, siç ndodh çdo vit në Brindizi, nga moli përballë Kapitenerisë së Portit u hodhën lule në det, varri, nga i cili trupat u nxorrën pas shumë kohësh për t’ua dorëzuar familjarëve. Organizatorët e nismës kësaj radhe ishin Observatori mbi Ballkanin dhe Observatori i përhershëm Itali-Shqipëri “për të kujtuar të gjithë emigrantët, viktima të detit e për t’u solidarizuar me ata, që po vuajnë tmerret e luftës”.
Ndeshja në kanalin e Otrantos shkaktoi polemika me qeverinë e atëhershme italiane të Romano Prodit. Brukseli gati e përjashtoi Romën nga Traktati i Shengenit. Një kuriozitet: në filmin “Prilli” të regjisorit italian Nani Moreti, realizuar në vitin 1998, vetë regjisori, i cili është zakonisht edhe aktori kryesor i filmave të vet, pikërisht në bregun e Brindizit, zemërohet e bërtet kundër politikanëve të majtë të kohës, përfshirë edhe Romano Prodin, të cilët as që denjuan të shkonin për të takuar të mbijetuarit: “Nuk e çajnë fare kokën – thoshte Moreti – unë i kujtoj ata në Federatën e të Rinjve Katolikë; shihnin vetëm filmin “Happy Days” (Ditë të Lumtura), ky është formimi i tyre”.
Procesi gjyqësor për Tragjedinë e Otrantos është i gjatë dhe i mundimshëm. Para gjyqit dolën vetëm komandanti italian i Sibilës dhe ai shqiptar i “Katër i Radës”. Pas 8 vjetësh - vendimi i shkallës së parë, që dënoi me tre vjet burg italianin e me katër shqiptarin, ndërsa ai i shkallës së dytë akoma nuk ka dalë. Për çdo viktimë, familjarëve iu dha 20 mijë euro, ndërsa çdo të mbijetuari, 13 mijë euro.








All the contents on this site are copyrighted ©.