2011-03-26 16:37:40

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 27 mars, Kisha kremton të dielën e Tretë të kohës liturgjike të Krezhmëve, e po sot më 27 mars, bie edhe përkujtimi i shën Rupertit, ipeshkëv i Salcburgut. Në udhën shpirtërore të krezhmëve, Fjala e Zotit nënvizon simbolin e ujit. Kish i fton besimtarët ta kuptojnë domethënien e këtij simboli në dritën e sakramentit të Pagëzimit e të dhuratës së Shpirtit Shenjt.
Të hënën më 28 mars kalendari kishtar përkujton shën Kastorin e shën Linden, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se feja në Krishtin na bën të lirë, e megjithatë shpesh herë vazhdojmë të jemi skllevër të besëtytnisë e të egoizmit.
Të martën më 29 mars bie përkujtimi i shën Eustakut, ipeshkëv i Napolit, shën Gulielmit, shën Ludolfit dhe shën Sekondit të Astit. Liturgjia e ditës na kujton se Abrahami është modeli i besimtarit, sepse besimi i tij e ka themelin në fjalën e Zotit e merr jetë nga dashuria dhe përvujtëria.
Të mërkurën më 30 mars, kalendari kishtar përkujton shën Gjonin Klimaku, shën Leonardin Murialdo, shën Sekonden e shën Amedeun. Liturgjia na kujton se në në ditën e ankthit, shpirti ynë mund të qetësohet vetëm duke thirrur në ndihmë Zotin e duke dëgjuar Fjalën e Tij.
Të enjten më 31 mars shën Amosi profet, shën Balbina, martire romake e shën Beniamini, diakon e martir. Liturgjia e ditës na kujtojnë parafoljen e Besëlidhjes së Vjetër sipas së cilës misioni i Jezusit është të formojë nga gjithë popujt, një popull të vetëm.
Të premten më 1 prill kalendari përkujton shën Venancin, ipeshkëv e martir, shën Ugon, ipeshkëv.

Të shtunën që vjen më 2 prill, kalendari kishtar përkujton shën Françeskun nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhrit të vetmitarëve të vegjël dhe shën Marinë egjiptiane, pendestare.
Më 2 prill bie përvjetori i vdekjes së Papës Gjon Palit II (2005).

Të dielën e ardhshme më 3 prill Kisha do të kremtojë të dielën e 4-të të Krezhmëve ( e diela e Gëzimit). E po të dielën më 3 prill kalendari kishtar përkujton edhe shën Sistin I papë; shën Gjonin, ipeshkëv i Napolit dhe shën Rikardin, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli.
Në udhën e Krezhmëve Liturgjia e Fjalës së Zotit rrëfen ngjarjen e të verbrit të lindur të shëruar nga Jezusi. Kisha na kujton se për të fituar errësirat e verbëritë e zemrës kemi nevojë për Krishtin, dritën e botës. E në kohën shpirtërore të krezhmëve, Kisha na ofron sakramentin e Pendesës e të Pajtimit për shërimin tonë shpirtëror e njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.