2011-03-26 16:37:02

Mbreti i Jordanisë dhe Patriku Tual ripohojnë rëndësinë e bashkëjetesës paqësore kristiano-islamike.


Mbreti Abdullahu II priti, të martën e kaluar, patrikun latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual. Gjatë takimit, iu kushtua vëmendje e posaçme përpjekjeve për të forcuar vlerat e tolerancës e të bashkëjetesës paqësore të myslimanëve me të krishterët, si dhe nevojës për të shumfishuar pikat e takimit ndërmjet besimtarëve të dy feve. Sipas njoftimit të PetraNjuz, rimarrë nga Agjesia Sir, mbreti i Jordanisë kujtoi se ka rëndësi të dorës së parë të ruhet identiteti arabo-kristian i qytetarëve të Jeruzalemit e t’u sigurohet ndihma e nevojshme për t’u bërë ballë kushteve të vështira, në të cilat vijojnë të jetojnë ditë për ditë. Mbreti e siguroi patrikun Tval se do ta mbështesë në kumtimin e mesazhit të dashurisë, në luftën për mbrojtjen e Vendeve të Shenjta, të të drejtave të tyre si dhe të identitetit arab të Qytetit të Shenjtë.
Patriku Tual, nga ana e tij, i shprehu mbretit Abdullah, mirënjohjen për ndihmën, duke i dhuruar një album me fotografi nga vizita e Benediktit XVI në Tokën e Shenjtë, në maj 2009. Së bashku me Patrikun, mbreti priti edhe imzot Antonio Maria Velion, kryetar i Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët. Abdullahu II i shprehu prelatit dëshirën për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Jordanisë e Selisë së Shenjtë, lidhur ngushtë me thellimin e dialogut islamo-kristian dhe vuri në dukje rolin e Jordanisë për mbrojtjen e Viseve të Shenjta myslimane e të krishtera në territoret palestineze, posaçërisht në Jeruzalem. Mbreti bëri thirrje të vijojnë përpjekjet për të ndaluar masat e njëanshme izraelite, që kërcënojnë ekzistencën e të krishterëve e edhe të myslimanëve në Qytetin e Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.