Predikimi i parë i Kreshmëve në Vatikan: Atë Kantalamesa: eros e agape, dy fytyrat
e dashurisë.
(25.03.2011 RV)“Dy fytyrat e dashurisë: eros e agape” ishte tema e predikimit
të parë të Kreshmëve, mbajtur në Vatikan nga atë Raniero Kantalamesa, në praninë e
Benediktit XVI. Predikatari i Shtëpisë Papnore kujtoi se në botën e sotme spikasin
dy situata, që i bien ndesh njëra-tjetrës: takohemi gjithnjë më shpesh me eros
pa agape, e me agape pa eros. Pra, nga njëra
anë, një eros i pastër. E vërejmë në shprehje të shumta të jetës e të kulturës së
kohës sonë, posaçërisht në botën e spektaklit. Nga ana tjetër, sidomos, ndërmjet besimtarëve,
një agape pa eros, një lloj “dashurie e akullt”. Një rrezik i tillë
i kërcënon edhe njerëzit, që ia kanë kushtuar gjithë jetën Zotit, kujtoi Atë Kantalamesa,
duke cituar Enciklikën e parë të Benediktit XVI “Deus caritas est”. Në vijim shpjegoi
se duhet kapërcyer teza, sipas së cilës këto dy dashuri nuk mund të përkojnë me njëra-tjetrën.
Eros e agape janë të bashkuara në vetë burimin e dashurisë, që është Zoti. Kujtojmë
se eros (έρως) do të thotë dashuri njerëzore, në të gjitha format e saj:
dashuri për familjarët, për të afërmit, për miqtë, për vetveten, për njerëz të tjerë,
dashuri bamirëse, ideale, shoqërore. Mbi të gjitha, dashuri për Zotin. E pikërisht
nga Zoti, siç theksoi sot predikatari i Shtëpisë Papnore, shekullarizimi i dashurisë
synon ta shkëpusë dashurinë njerëzore, në të gjitha shfaqjet e veta, duke e katandisur
në një ndjenjë pastërtisht ‘profane’, në të cilën Zoti është i tepërt, madje edhe
i besdisshëm.Ndërsa fjala “agape” (αγάπη) shpreh dashurinë e arsyes, dashuri
e pakushtëzuar, që nuk pret as nuk kërkon kurrfarë shpërblimi, prej këndej, dashuri
e pastër, si dashuria e Krishtit për njerëzimin. Fjala ndeshet shpesh në Ungjijtë
e përshkon tej e mbanë Enciklikën e Benediktit XVI “Deus caritas est”, duke zënë kryet
e vendit edhe në titullin e saj.