Sot më 25 mars, Kisha Katolike kremton festën e Lajmërimit të Zotit. Kujtojmë se sipas
një tradite shumë të lashtë, shtëpia e Marisë, ku Engjëlli Gabriel i solli Virgjërës
lajmin e Mishërimit të Zotit, identifikohet me shpellën e cila sot ndodhet në kriptën
e Bazilikës së Lajmërimit në Nazaret. Një pjesë e kësaj shtëpie, gjithnjë sipas traditës
– u mbart mrekullisht nga disa engjëj nga Nazareti në Loreto, në zonën italiane të
Markeve. Shtëpia e Shenjtë – siç quhet - ndodhet edhe sot në Bazilikën e Loretos,
deklaruar nga Gjon Pali II ‘Shenjtërore ndërkombëtare”, cak shtegtimesh për mijëra
besimtarë nga të katër anët e botës. E 25 marsi, ditë tradicionale e Lajmërimit
të është dita kur Kisha kujton lajmërimin dhe pranimin e planit të Zotit nga Virgjëra
Mari. Në shtëpinë e vogël të Nazaretit, nën strehën e Marisë, në çastin kur Ajo iu
përgjigj "po" ëngjëllit, filloi ngjarja më e madhe që ka njohur ndonjëherë njerëzimi.
Në jetën njerëzore nisi të banojë vetë Zoti. Zoti u bë njeri. Ç'ngjarje më e madhe
mund t'i ndodhte njeriut? Dëshirojmë prandaj, duke u nisur nga kjo ditë, të rifillojmë
këngën e jetës, nga fillimi e deri në mbarim. T'i themi "Po" jetës, sepse jeta është
e bukur, sepse jeta është dhuratë e Zotit, sepse jeta është një aventurë e mahnitshme,
sepse jeta duhet jetuar duke kënduar "Magnificat" - "Zemra ime madhëron Zotin". Poeti
ynë kombëtar, Atë Gjergj Fishta, i këndon kështu, në poezinë "Nuncjata", ndikimit
që pati kjo ngjarje e madhe mbi gjithë njerëzimin: T’falna, Mrí ! edhe na po
t’ thona, O Zojë Virgjin hire-plote! E nder gzime e kobe t’ona, Qi
na i sjellin t’egrat mote, E kur n’nadje t’zbardhe drita, E kur
n’mbrame t’erret dita: T’falna, Mri, na t’ thom’ me gzim!