Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar i flakët
Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar përvjetorin e pushkatimit të dom Ndré Zadejës,
meshtar, poet e atdhetar i flakët. Dom Ndré Zadeja është një nga dyzetë martirët
e Kishës shqiptare, për të cilët tashmë ka përfunduar faza e parë dioqezane e procesit
kanonik kishtar për shpalljen të Lumë, që do t’i lartojë në nderimet e elterit. Ai
qe martiri i parë i tërbimit komunist mbi Kishën katolike në Shqipëri e një dëshmitar
i jashtëzakonshëm i fesë së krishterë dhe i vlerave kulturore e atdhetare. Dom
Ndré Zadeja, prift, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891.
Tri klasët e para të shkollës fillore i kreu në një shkollë italiane, ndërsa nga klasa
e katërt e më tej studioi në Kolegjin Saverian, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e
larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua meshtar. U
kthye menjëherë në atdhé e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta kremtonte meshën
e parë në Kishën e Zojës pranë kështjellës Rozafa të Shkodrës, ku nderohej e nderohet
edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, pajtorja qiellore e shqiptarëve. Ishte një ditë
e bukur pranvere, 26 prill 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, dom
Ndré Zadeja e nisi shërbimin meshtarak si sekretar i ipeshkvit imzot Serreqit dhe
si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar në Mal
të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak e ungjillor në Bogë, për të kaluar më
pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga regjimi komunist gjatë shërbimit në këtë fshat
më 4 shkurt 1945. Kujtojmë se më 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë
afër Shkodrës kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet
e vlerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, meshtar shembullor e predikatar në zë
dhe largpamës , i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike : “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji
të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë
s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç
të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. E i pari që do t’i përjetonte
të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe, do të ishte pikërisht ai
që i shqiptoi këto fjalë tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri e shtatë
muaj para se të pushkatohej pas murit të varrezave katolike, me 25 mars 1945.
Më 25 mars 1945 dom Ndre Zadeja, së bashku me 14 shokë të tjerë, u nxorrën nga burgu
për t’u çuar drejt vendit të ekzekutimit. Të gjithë të burgosurit ishin të frikësuar.
Shokët e tij meshtarë, para se të dilte, i dhanë bekimin nëpërmjet derës së vogël
të burgut. Dom Zadeja u gjunjëzua së bashku me të gjithë të tjerët. Në vendin e ekzekutimit,
pas varrezave katolike të Shkodrës, iu afrua Dom Tom Lacaj për t’i dhënë zgjidhjen
e fundit të mëkateve. Dom Zadeja e falënderoi atë me këto fjalë: “Të falënderoj
që ke ardhur këtu për të m’i lehtësuar vuajtjet”. Pas pak çastesh, qyteti i Shkodrës
dëgjoi krismat e mitralozit që shtrinë përtokë 14 vetë. Pra, dom Ndre Zadeja
u pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me 14 burra: e në mes tyne kreshniku
i maleve Prek Cali, si dhe Luigj Kastrati, Ndok Bardhoku, Ndrekë Loka, Arif Hyseni,
Dedë Lulash Smajli, Gjok Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Daka, Maliq Bajrami,
Gjokë Voci, Pjetër Gjedashi. e t’iu kujtojmë emnat të gjithëve me nderim. Dom
Ndré Zadeja u vra me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllain prift, një nga figurat
më të ndritura të shkollës letrare të jezuitëve, dom Lazër Shantojën, edhe ai ndër
martirët e Kishës shqiptare, për të cilët tashmë faza e procesit kanonik kishtar i
ka kaluar Vatikanit për miratimin e beatifikimit të tyre. Më 25 mars 1945 Shkodra
e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte
njohur e dashur me shpirt për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm meshtarak, për atdhetarinë
e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë
shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa”, “Ruba e
kuqe”, kurse “Shpella e Bogdanit” mbet dorëshkrim e tjera, të cilat u vunë në skenën
e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të
lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi
komunist. Në rrugët e rrugicat e shtrembëta të Shkodërs, njëkohësisht me breshërinë
e mitralozave të diktaturës ateiste, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave
shqipe, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike e atë shqiptare në
përgjithësi, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grì dom Ndrenë!”. E tani, kur për
emrin e tij flitet si për atë të një të Lumtur të ardhshëm, që do të nderohet edhe
në nderime të elterit, Kisha e kombi duhet të krenohen me këtë martir të parë të Kishës
katolike shqiptare të persekutimeve të egra të periudhës komuniste, me tingujt e melodramave
të tij e sidomos me dëshminë e një jete flijuar për Fe e Atdhé.
Dom Ndre Zadeja, oeti i ambëlsisë, sipas Daniel Gazullit. ”Shqipni,
moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!” Dom Ndre Zadeja
para pushkatimit. I “Kanë grì Dom Ndrenë”! … Kanë
grì Dom Ndrenë”! …” – kalonte gojë më gojë e vesh më vesh fjala kobzezë. “Kanë
grì Dom Ndrenë”! Ishte mëngjezi i 25 Marsit 1945.
Shkodra ishte tronditë nga themelet. “Kanë grì Dom Ndrenë! … Kanë
sharrue legjendën e kufijve Prekë Calin! … Kanë grì katërmbëdhjetë burra te Muri i
Gjakut në Rrëmaji”. Shqiptarët po faronin shqiptarët, ata ma të
mirtë. Po, shqiptarë ishin edhe ata që tërhiqnin çarkun e marrshinkave, po mbas tyne
kishte qenë ma parë e gjithmonë një dorë serbi që kishte drejtue gishtin: “Të arrestohet
… ! Të pushkatohet …!” Gjithmonë një dorë serbi dhe një verbënì komuniste, që
mbasi kishte përgjakë Jugun gjatë luftës tue vra bijtë e tij ma të mirë, tashti,
të pangopun me gjak, ishin lëshue si bishat mbi Veriun: Ishin Brigadat e ndjekjes,
komandantat katila, por mbi të gjitha ishin urdhnat që vinin nga Tirana, apo drejtpërdrejt
nga Beogradi. I kanë lanë vetë dëshmitë në proçeset gjyqësore që i banë njeni tjetrit
ndër vite, kur u hanin kryet shokëve, si hijenat. Ja çfarë deklaronKoçi
Xoxe në gjyq: “Kur ishim në Shkodër, në janar të vitit 1945, shokët Mehmet Shehu,
Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, etj., ishin në dijeni që për
vrasjet pa gjyq e me gjyq, kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.
...” (Arkivi M. Mbrendëshme, dosja nr. 1623). Kanë grì Dom Ndre Zadenë që,
para skuadrës së pushkatimit, u kishte thanë: “Shqipni, moj mizore, çka të baj
ma shumë për ty?!”. Ajo piskamë e përshpëritun me za të lehtë gojë
më gojë e vesh më vesh, “Kanë grì Dom Ndrenë!”, më duket se vjen e mnershme
edhe sot e kësaj dite kur Tirana postkomuniste ban gjithçka me i lanë në harresë ata,
Martirët e Kombit. Tragjedia e Poetit të Ambëlsisë, kishte fillue ndoshta
qysh me 16 gusht 1944 gjatë meshës në Kishën e Shirokës, ditën e Shën Rrokut, kur
iu drejtue besimtarëve: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij.
Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të
shprazet mbi ju, por atëherë s'keni për të pasë shka me i ba, veç me bajtë e me i
sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin." Nuk
do t’ia harronin këto fjalë “komunistët klandestinë” që, qysh gjatë luftës,
futeshin kudo lëshohej kushtrimi për tragjedinë që po e priste një popull mbarë. Me
të drejtë historianët vërejnë se nuk asht e lehtë të gjesh një figurë që të jetë vetëm
bardh apo vetëm zi. Jam rrekë ndër vite me gjetë për Dom Ndreun: a kishte Ai ndonjë
njollë? E sot, mbas shumë vite kërkimesh, mund të përsëris pa frikë se gaboj: Atdhetar
i panjollë! Ai që, si pak kush, kishte plotësisht të drejtë të thonte para plutonit
të pushkatimit: ”Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?!”
II Dom
Ndre Zadeja leu në Shkodër me 03 Nandor 1891. Klasat e para i kreu pranë një shkolle
që mbahej nga Austro – Hungaria. Nga klasa e katërt e deri sa mbaroi gjimnazin studjoi
në Kolegjën Saveriane. Në periudhën 1913-1916 studioi në Universitetin e Innsbruck-ut,
ku ishin edhe Sirdani, Gàzulli e shumë meshtarë të ardhëshëm, që u dhanë me kohë
posaçërisht mbas gjuhësisë, ashtu si do të studjonte atje ma vonë, po për gjuhësi,
edhe i madhi Çabej. Shugurohet meshtar me datë 26 Prill 1916. Ceremonia
e rastit u mbajt në Kishën simbol të Shkodrës, aty në kambë të Rozafës së lashtë.
Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohun nga populli ma thjeshtë, Zoja e Shkodrës. Jo
se Ai nuk la gjurmë në fushë të meshtarisë; përkundrazi. Ai ishte një ndër oratorët
ma të mirë të kohës, e pikërisht oratorisë së tij, që mbahej në gojë prej të gjithëve,
do t’i shihte sherrin me 16 Gusht 1944. Përktheu e shkroi edhe verpa origjinale
ekleziastike. Prej viteve ’20 e këndej, sot e kësaj dite, besimtarët katolikë
luten në vargje të mrekullueshme, të thjeshta e të ambla: pak kush e di se ato lutje-poetike
janë të Dom Ndreut. Por Ai do të hynte në botën kulturore të Shkodrës e të Shqipnisë
mbarë veçanarisht si autor i melodramave të para shqiptare, veprave skenike të muzikueme
po prej Tij, a në bashkpunim me e Dom Mikel Koliqin, tash së voni, Kardinal Koliqi.
Ishte sekretar i Arqipeshkvit Imzot J. Serreqi, po përveç detryrës së përditëshme,
Ai shpërtheu me një energji të paimagjineushme në shumë fusha, pse përveç veprave
skenike, themeloi e drejtoi bandën muzikore “Bogdani”, botoi artikuj me vlerë në fushë
të pedagogjisë, ashtu edhe poezi nga ma të bukurat, sa qysh atëherë u quejt “poeti
i ambëlsisë”. Veprat e Tij kishin taban thellësisht kombtar e në shërbim të nevojave
jetike të Atdheut në ata vite. Melodrama “Ora e Shqipnisë” (1919 – vu në skenë
në 1920), përveç se mbetet vepra e parë skenike e muzikueme, në kushtet e pushtimit
të vendit nga fuqi të ndryshme, por sidomos të pushtimit të Vlonës, u kthye në një
himn atdhetaria e proteste. Kur u vu në skenë për herë të parë në Sallonin e shfaqjeve
të Kolegjit Saverian, e protagonsitët këndonin:
spektatorët shpërthyen
në duartrokitje të stuhishme: “Rroftë Vlona Shqiptare! Rroftë Vlona jonë!” Suksesi
i melodramës, jo vetëm në Shkodër e Tiranë, po veçanarisht në Vlonë, ndezi edhe ma
shumë shpirtnat e trazuem të shqiptarëve, që nuk po gjenin paqë as mbas përfundimit
të Luftës së Madhe. Ndërsa jeta e Tij ishte pothuej e heshtun, meshtar diku në
një trevë gati të harrueme, në Mal të Jushit, në Bogën e largët, në Shkrel e së fundi
në Sheldi, ajo njëherësh ishte e mbushun me prodhimtari artistike kryekëput në shërbim
të kombit. Vihen në skenë me radhë melodramat “Ora e Shqypnisë”, “Hijet
e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” kurse “Shpella e Bogdanit”
mbet dorëshkrim. Veç poezive aq të ndjeme e një pasunije të tanë në fushën e lutjeve,
që na ka lanë, botohen ndër fletore të kohës studime në lamë të edukimit, të folklorit,
të psikologjisë e traditave veçanarisht ndër zona pak të prekuna nga kultura orientale,
si ishin Alpet tona, ashtu edhe disa polemika aty edhe me korifejt e kohës. Asht
thanë, e me të drejtë, se Dom Ndreu i ndej larg jetës politike. Kjo vlen vetëm sa
i përket vështrimit praktik të saj, por gjithë vepra e Tij rrihte pikërisht në shëndetësimin
kombtar në konflikt të mbrendshëm me rrymat postosmane, që fatkeqësisht “lulëzonin”
në trojet tona tue gjetë humus të përshtatshëm tek një qeverisje me mendësi shpesh
herë edhe ma regresive se “lidhjet e tyne shpirtnore”, Turqia e Ataturkut, që me guxim
po shkëputej nga errësina mesjetare. Edhe marëdhanjet e Tij shoqnore ishin të kufizueme.
Kishte ruejtë një rreth të ngushtë miqësh qysh të kohës së studimeve në Austri, si
Dom Aleksandër Sirdani, Dom Nikollë Gàzulli, Dom Lazer Shantoja e pak të tjerë.
Kështu, i afrohej messhekullit të jetës, deri sa një ditë ...
III Ishte
8 prilli i vitit 1939. Besimtarët në Sheldi kishin mbushë Kishën si kurrë ndonjëherë. Një
ditë ma parë Italia fashite kishte pushtue Atdheun tonë. Kishin mbushë Kishën sepse
Ai po, diçka do të thonte. Ishte e pamundun që Ai të mos thonte diçka në një ditë
të zezë si ajo për të gjithë ata që e quenin veten Shqiptarë. Zani ishte kumbues,
edhe pse dukej sikur fliste me vete, ma shumë se me besimtarët vetullkapërthyem. “E
shoh se jeni të pikëlluem. Sot asht ditë zije për ne Shqiptarët. Italia fashiste e
pushtoi Atdheun tonë, Shqipninë!” Besimtarët prisnin që Ai të vazhdonte, të
vazhdonte, të vazhdonte, e të shfrente zemrën e plagueme, si të plagueme ishin gjithë
zemrat e tyne. Por jo, Dom Ndreu kishte ulë kryet, dhe një heshtje që dridhëte
zemrat, kishte ra në gjithë Kishën. Mbas pak u dëgjue frymëmarrja e Tij e thellë,
një ofshamë, që sikur vinte prej thellësive të shekujve; Ai ngriti kryet ngadalë dhe
besimtarët panë t’i rridhnin dy pila lot. Një fjalë ma shumë do të kishte qenë
e tepërt!
IV E kujtojnë bashkëkohësit e dëshmojnë se Ai dinte me
falë si pakkush. E predikonte faljen kudo nëpër shqiptarë, për fat të keq, jo rrallë
në mëni e deri të gatshëm për gjakmarrje barbare. Por kishte edhe
Ai një pikë “të dobët”, nëse mund të quhet kështu. Jo, t’i prekje Atdheun, Kombin,
Dom Ndre Zadeja nuk ngurronte “të xhvishte shpatën” e të hynte në dyluftim me fyesin.
Një betejë që do të mbetët në histori asht ajo me priftin italian, bukëshkalin At
Fulvio Cordignano, që guxoi e përfoli ligsht Kombin tonë. Ai, që për 35 vjet kishte
njohë e himnizue mikpritjen shqiptare, kur ia desht puna, sa për interesa të politikës
së kohës, pushtuesëve fashistë, aq edhe të fqinjëve tanë të pangopun, sllavëve, pse
e dëshmoi haptas tendencën e tij prosllave, pat paturpsinë e volli vner kundër historisë
e bujarisë sonë. Natyrisht, durimi “i tepruem”, si e quen Zadeja, kishte
kapërcye çdo kufi:
Dishmitare ty t’thrras o e tepruemja
durés’
shqiptare, ti qi vuen pa zâ,
e brén pa u ndî, e kjân pa ankim, .....
Pse nuk kishte si të durohej “përjargja” e Cordignano-s, që donte me “zhigatë
fytyren” tonë iliro shiptare:
Perjârgë a pênda e jote, Cordignano! Me
dâng’ të zez’ ti ja zhigate ftyrën
vedit e né. Por nuk jan’ dokrrat
tua
qi e bâjn’ paçavër rracash Shqiptarin!
Sepse:
Harrohet
e
s’harrohet çdo dhûn’ mbi tok’, por ndéri
për komb asht shêjt, si shêjt
asht gjaku i dêrdhun
për Atmë e Fé. Letra-poemë
drejtue meshtarit italian, simbas disa studjuesëve, asht një ndër dy-tri letrat
ma të famëshme polemike, nëse mund të quhet polemikë mbrojtja e nderit të Atdheut.
Ajo asht një poemë e mirëfilltë historike e filozofike, estetikisht ndër ma të bukurat
në gjuhën shqipe, që në llojin e saj konsiderohet një perlë edhe në letërsinë botnore,
e që do të trandtte mjediset kulturore e politike të kohës: Nuk tërhiqej jo, Dom Ndre
Zadeja, kur fjala ishte me mbrojtë nderin e Shqiptarisë!
V
Reja e zezë me ideologji të kuqe, që Dom Ndre Zadeja kishte paralajmrue me 16 gusht
1944, u zbraz gjamshëm mbi shqiptarë. Veçanarisht ajo u zbraz me gjithë egërsinë e
shëmtimin e saj mbi klerin katolik, tue fillue qysh në mes të janarit 1945 me arrestimin
e At Dioniz Makës e të At Gegë Lumës. Pak ditë ma vonë, me 26 janar 1945, do
të arrestohej në Sheldi Dom Lazër Shantoja, që ishte strehue tek Kolë Sheldija,
një mik i veti, që u arrestue edhe ai, bashkë me Shantojën. Të ndalemi pak, për
një homazh të merituem, tek ky martir pothuej i harruem prej të gjithëve. Kolë
Sheldija e kishte pasë emnin Nuri, një jetim kolonjar. I vetëm, i mbetun në mëshirë
të fatit ma barbar, endej nga një cep i Shqipnisë në tjetrin, qysh fëmijë, në kërkim
të një kafshate bukë. E strehoi Dom Lazër Shantoja, me të cilin jetoi shtatëmbëdhjetë
vjet. Ma vonë, në vitin 1937, kolonjari i mirë u kthye në besimin katolik, edhe pse
do të martohej me një vajzë vendase, prej Sheldije. Me atë rast mori emnin Kolë e
mbiemnin Sheldija. Mbas tri ditësh i bahet gjyqi. Vendimi: Dënim me vdekje. Motivi:
Kishte strehue Dom Lazër Shantojën. O Zot! Si mund të pushkatohet njeriu i mirë
Nuri Kolonjari – Kolë Sheldija pse kishte strehue në shtëpi bamirësin e tij?! Po
tragjedia e tij nuk mbaron këtu. E pushkatojnë me 02 shkurt 1945. Kryetari
i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Ushtarake
në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “...I dënuari
Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”. Gjykata
e Naltë Ushtarake në Tiranë, me shkresë nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës,
se kishte marrë në shqyrtim aktet e të pandehunit Kolë Sheldija, i cili ishte dënue
me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë
28 shkurt 1945. Pushkatimi i tij miratohet 26 ditë mbas egzekutimit! Jo,
ka çaste kur nuk mundesh me thanë “Zot, fali, se nuk dijnë çka bajnë"! Në paqë
t’u preftë shpirti, Kolë a Nuri qofsh, ty kolonjar i mirë, që të moren jetën pse ishe
NJERI! Po me 2 shkurt 1945, atë ditë që kishin pushkatue Kolën e shkretë, në Sheldi
aksioni i grumbullimit të armëve fillon me pushkatimin e fshatarit “të pabindur” Tomë
Marku. Ndërsa Dom Ndre Zadeja, i thirrun edhe Ai në atë mbledhje, afrohet t’i bajë
shartet e fundit viktimës, forcat e ndjekjes i venë hekurat në duer. Kalvari i
Tij kujtohej kështu nga Kardinal Koliqi, që kishte qenë në burg me Të në ato pak ditë
para pushkatimit: “Nuk besoj të ketë provue kush torturat që i banë Dom Ndre Zadejës”.
Po torturat do të ishin të pakursyeme për 30 vjet e ma rresht, aq sa, vetë
prokurori Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koçi Xoxes, shprehet: “Arti i vërtetë
i torturimeve ia kalonte atyre të nazifashistëve”.
VI Ka një
vendim të Gjykatës Ushtarake të Korpusit të Armatës III me qendër në Shkodër sikur
me datë 16.02.1945 të jetë mbajtë edhe gjyqi i Dom Ndre Zadejës, por shumëkush asht
i mendimit se ai asht falls, i hartuem ma vonë, ashtu si edhe vendimi i Gjykatës së
Naltë Ushtarake Tiranë datë 28.02.1945, që dënojnë Dom Ndre Zadejën me vdekje, me
pushkatim. Bashkëkohës e studjues janë të mendimi se atij nuk iu zhvillue kurrë një
gjyq, deri sa … Mëngjezin e 25 marsit 1945, ende natë, një kamion i zhurmshëm
dilte prej Burgut të Madh e përshkonte mes për mes qytetin drejt Murit të Gjakut,
mbas Vorrezave të Rrëmajit. Në atë kamion, atë prag agimi të kobshëm, ishin
14 burra: e në mes tyne Dom Ndre Zadeja, kreshniku i maleve Prek Cali, si dheLuigj Kastrati, Ndok Bardhoku, Ndrekë Loka, Arif Hyseni, Dedë Lulash Smajli,
Gjok Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Daka, Maliq Bajrami, Gjokë Voci, Pjetër
Gjedashi. Le t’iu kujtojmë emnat të gjithëve me nderim. Vrasësit u treguen
“të mëshirshëm”. Mbasi i pushkatuen të katërmbëdhjetë atdhetarët aty mbështetë tek
Muri i Gjakut, lejuen që t’ia merrnini trupin vetëm Don Ndreut e ta varrosnin mbranda
Vorreve të Rrëmajit. Dom Tomë Lacaj, që ishte thirrë për shërbesat e fundit, e
mori në sup, e krejtësisht i përgjakun edhe ai, e çoi mbrenda Vorrezave, ku e prisnin
punëtori i vorrezave dhe seminaristi Mark Çuni, ky pionier i demokracisë, që do të
pushkatohej po aty në nandor 1946. Si e vendosën në një arkivol të përgatitun me shpejtësi
prej marangozit Tomë Pici, Mark Çuni nxori prej krahnorit Flamurin Kombtar dhe ia
vuni përspër. Vorrimin e shoqnuen krisma marrshinkash që vazhdonin të “këndonin” për
fitoren mbi “armiqtë”, sa zgjuen të shokuem popullin e Shkodrës mbarë. Terrori
sa kishte fillue. Kështu u sos një jetë e panjollë, ajo e Bilbilit të Shkodrës,
Dom Ndre Zadeja, që, tue perifrazue At Fishtën, i drejtohemi:
“T’janë sosë
fjalët e ambla e plot urtì, E ai za t’asht këputë, i cili binte n’zemër Si
kumbë lire e tingllueshme, që prej s’largu Ndihet tue ra, kur dora e prekë
e mësueme”
Po Dom Ndreu do të vazhdojë t’i ligjërojë Kombit të tij.
VII Në shkrime e studime për martirët, që u mbytën nën mëninë komuniste
në vitet ’40-70, kam ndeshë shpesh cilësorin “i pafajshëm”. Po Dom
Ndre Zadeja, a ishte i pafajshëm? Jo, Ai ishte fajtor!
Fajtor, se e desht Shqipninë deri në flijim, e me dashtë ashtu Atdheun, pat thanë
Fishta në vdekje të Fatosit të Kombit Avni Rrustemi: “Fatzeza, moj Shqipni! Po
ishte faj me të dashtë ty!” Fajtor, pse nuk u pajtue kurrë me xhahilët
që mbajtën nën zap Shqipninë kur ajo kishte aq shumë nevojë për liri të vërtetë e
përparim! Fajtor, sepse qau e shau kur fashizmi shkeli tokën arbnore!
Fajtor, sepse nuk dijti me falë ata që i fyen kombin! Fajtor, se paralajmroi
ardhjen e kolerës së kuqe sllavo-komuniste qysh në verë 1942 e të gjitha rrjedhojat
e tij tragjike! Fajtor, se të deshti ty si pak kush, Flamur Kuq e Zi!
Ai ishte fajtor e fajtor mbet: Kush kujtohet për Martirët në këtë Vend?!
Po do të vijë, po, do të vijë një ditë e Ai do të marrë pafajsinë e shejtë të ATDHETARIT
e të MESHTARIT që i ban nder flijimi!
Këshillime: At
Konrad Gjolaj : Çinarët, 1996 Fejzi Gushta : Tri
sfidat e Dom Ndre Zadesë Fritz Radovani : Një monument nën
dhé, 2004 Lec Zadeja : Dom Ndre Zadeja, 1994 Dr.
Pjeter Pepa : Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, 2007