2011-03-25 14:28:18

Benedikti XVI ipeshkvijve indianë siro-malankarezë: bashkësitë e vogla kristiane japin dëshmi të jashtëzakonshme.


(25.03.2011 RV)Ndonëse pakicë, të krishterët e Indisë janë të thirrur të japin ndihmesën e tyre për të mirën e shoqërisë: është kjo porosia që Benedikti XVI i dha një grupi ipeshkvijsh siro-malankarezë, të cilët i priti sot paradite në Vatikan, me rastin e vizitës së tyre “ad Limina Apostolorum”. Papa theksoi posaçërisht rëndësinë e lidhjes së ngushtë të ipeshkvijve indianë me Selinë Apostolike dhe inkurajoi nismat për formimin e laikëve.
Formimi i laikëve dhe roli i krishterimit në historinë e Indisë: këto ishin dy temat kryesore në fjalimin e Papës, drejtuar ipeshkvijve indianë të ritit siro-malankarez. Benedikti XVI theksoi në mënyrë të veçantë rëndësinë e lidhjes shpirtërore të ipeshkvijve me Selinë e Shën Pjetrit. Më pas, edhe rolin e krishterimit në jetën e vendit të madh aziatik:
“Due to its ancient roots and distinguished history…”
“Falë rrënjëve të tij të lashta dhe historisë së tij të pasur, krishterimi i dha një kontribut të rëndësishëm kulturës dhe shoqërisë indiane si dhe shprehjeve të saj shpirtërore e fetare”. Ishte, kjo, ftesë, drejtuar mbarë Kishës në vend, që t’i japë një kontribut gjithnjë më të madh shoqërisë indiane, për të mirën e përbashkët:
“I note the particular challenges to many…”
I kuptoj mirë – shtoi Benedikti XVI – sfidat që duhet të përballojnë shumë nga famullitë tuaja, në mënyrë të posaçme, ato që nuk e kanë vazhdimisht pranë meshtarin. E megjithatë, kujtoi Papa, duke pasur ndër mend realitetin shoqëror, në të cilin jetojnë të krishterët, në një kontekst kulturor më të gjerë, famullitë e vogla të krishtera i kanë, edhe ato, mundësitë për të punuar me frymë vërtet vëllazërore. E tregon vetë fakti se pikërisht këto bashkësi të vogla kanë dhënë dëshmi të jashtëzakonshme në jetën e Kishës. Ashtu si në kohët apostolike, vijoi të pohonte Papa, Kisha e kohëve tona do të lulëzojë në praninë e gjallë të Krishtit, i cili na premtoi se do të jetë gjithmonë me ne. Më pas u ndalua tek rëndësia e formimit të bashkësive të krishtera, posaçërisht përmes programeve të katekizmit, të propozuara nga Kisha vendase.
“Catechesis and spiritual development...”
Katekizmi dhe rritja shpirtërore, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë dy nga sfidat më të rëndësishme, që duhet të përballojnë barinjtë e Kishës. Prej këndej, inkurajimi për ta vijuar ecjen në këtë rrugë e për të formuar njerëz me vetëdije e dashuri të thellë ndaj Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.