2011-03-24 11:09:32

Më 24 mars kalendari kishtar përkujton Shën Katerinën e Suedisë


(24.03.2011 RV)Etimologjia e emrit “Katerina” vjen nga greqishtja e do të thotë “grua e pastër”. E tillë ishte Katarina Ulfsdoter, e njohur si Katerina e Suedisë, vajza e dytë e 8 bijve të shën Brigjidës, mistikes së madhe suedeze që shënoi thellësisht historinë, jetën e letërsinë e vendit skandinav.
Lindur në vitin 1331, në moshë shumë të re, Katerina u martua me Edgarvon Kyren, fisnik me gjak, por sidomos në shpirt. Ai jo vetëm pranoi dëshirën e vajzës për të ruajtur virgjërinë, por bëri edhe të njëjtin kusht.
19 vjeç, Katerina shkoi tek e ëma në Romë, ku mori pjesë në jetën e saj intensive fetare e në shtegtimet e shën Brigjidës. Pas vdekjes së shenjtës, Katerina e solli trupin e së ëmës në atdhe e, në vitin 1375, hyri në kuvendin e Vadstenës. Në vitin 1380 u zgjodh eprore e kuvendit të rregulltareve. Vdiq më 24 mars 1381.
Shën Katerina e Suedisë, virgjër, e bija e Shën Brigjidës, që këtë përkujtohet sot, na kujton se të ndjekësh Krishtin nuk është aspak punë e lehtë: mund të shkaktojë vuajtje të padurueshme, si ato të Jeremisë profet, të cilat na i kujton liturgjia e festës.







All the contents on this site are copyrighted ©.