Ndërsa në Bruksel mblidhen krerët e Shteteve e Qeverive të BE-së, asnjë marrëveshje
mbi komandën e Natos në Libi. Akoma asnjë marrëveshje mbi komandën e koalicionit
ndërkombëtar ushtarak në Libi në mbledhjen e 28 ambasadorëve të Vendeve të Natos në
Bruksel, ku sot është në zhvillim një takim i ri i Këshillit Atlantik, e mbesin ende
pa zgjidhur çështjet mbi marrëdhënien mes sigurisë së respektimit të zonës ndalim-fluturimit
në qiejt e Libisë dhe operacioneve ushtarake për mbrojtjen e civilëve e zgjerimin
e misionit. Po kjo duket se nuk e shqetëson Parisin: “Sulmet ajrore do të vazhdojnë,
do të godasim mjetet ushtarake e asgjë tjetër”, ka njoftuar sot paradite ministri
i Jashtëm, Juppé. Kancellarja Merkel, ka kërkuar embargo të plotë të naftës kundër
Libisë, përveç reduktimit të tregtisë me Vendin. Nata e pestë e sulmeve ajrore
e koalicionit në Libi duket se ka lënë pa dëmtuar pika kryesore të ushtarëve të Gedafit.
Artileria e kolonelit ka luftuar kundër Misuratës, qyteti i tretë i Libisë për madhësi,
duke marrë në shënjestër mes objektivave tjerë, edhe spitalin e qytetit. Ata që shkaktojnë
vdekje e terror në qytet janë snajperistët, që kanë shkaktuar 16 të vdekur ndër civilë.