2011-03-24 16:46:17

31 vjetori i vrasjes së imzot Oskar Romero në Salvador. Homazhet e presidentit Obama te varri i ipeshkvit martir.


Kremtohet sot me 24 mars Dita e lutjes dhe e agjërimit për misionarët martirë, mbi temën “Të qëndrojmë në shpresë”. Kisha bashkohet rreth atyre që flijuan jetën personale për dëshmimin e Ungjillit dhe përkujtojnë posaçërisht veprimtarët baritorë të vrarë gjatë 2010. Kremtimi i kësaj dite bie në përvjetorin e vrasjes brutale të kryeipeshkvi të San Salvadorit, imzot Oskar Romero, që ndodhi më 24 mars 1980, ndërsa po kremtonte Meshën e Shenjtë. Të shumta janë kremtimet e nismat përkujtimore në San Salvador për shënimin e 31- vjetorit të vdekjes së prelatit imzot Romero.
Edhe presidenti i SHBA-së, Barack Obama, bëri homazhe te varri i kryeipeshkvit imzot Romero, në përfundim të udhëtimit të tij në Salvador. E për nder të ipeshkvit Romero, vitin e kaluar, OKB-ja e shpalli 24 marsin “Ditë Ndërkombëtare për të drejtën e së vërtetës”.

Figura e imzot Oskar Romero, martir në Salvador.
Atë 24 mars të vitit 1980 gjaku i Krishtit e gjaku i Oskar Romero, kryeipeshkëv i Sal Salvadorit, qenë një gjë e vetme. Të shtënat vrastare me armë zjarri e goditën zemrën e tij, në çastin ku po lartonte Kelkun e shuguruar të Gjakut të Krishtit. Vra në moshën 63 vjeçare, gjatë kremtimit të Meshës në kapelën e një spitali në periferi të kryeqytetit, ndokush ende sot e kujton si ipeshkëv të bezdisshëm, trazues. Po për kënd ishte i bezdisshëm dhe shqetësues? Jo sigurisht për të varfrit e të mënjanuarit, jo për ata që, në atë Vend plot vuajtje e mjerim, shpresonin që Kryqi i Krishtit të bëhej shenjë shprese, siguri e re dhe dinjitet më i madh. Ai qe ipeshkëv e martir. Tipari i tij ishte ai i të qenit bari: ai nuk qe teolog, nuk qe njeri politik, nuk qe figurë e lidhur me ndonjë aktivitet shoqëror apo kulturor. Ishte një martir sepse vdiq në elter dhe qe vra sepse i mbronte të varfrit në bazë të një përcaktimi të qartë shpirtëror, në bazë të bindjeve të fesë. E për popullsinë e besimtarët e San Salvadorit përfaqëson historinë më të lavdishme e të njohur, ndoshta është i vetmi që arriti një famë botërore si për së gjalli, si sot, 31 vjet pas vdekjes.
“Kryeipeshkëv i mallkuar, ruaje veten, në se nuk dëshiron ta paguash me kokë!”. Imzot Romero ngre supet dhe e flak letrën në kosh. Nuk është hera e parë që e kërcënojnë me vdekje. Nganjëherë kërcënimet kanë edhe datë, si ky, që është shkruar më 20 shkurt 1980, por sigurisht nuk kanë asnjëherë nënshkrim. Megjithatë imzot Romero e di fare mirë kush janë autorët: janë politikanë, zyrtarë të policisë ose miliarderë, të cilëve nuk u pëlqejnë fare predikimet tij për ndarjen e barabartë të pasurive.
Por Oskar Romero nuk frikësohet nga asnjë kërcënim. Vendi i tij, Salvadori, një shtet i vogël i Amerikës qendrore, jeton në kushte të tmerrshme. Në krye të shtetit, politikanët komplotojnë për të siguruar pushtetin e vënë dorë mbi arkat e shtetit, pa i brerë fare ndërgjegjja. Kanë në shërbim të tyre një ushtri me njerëz, që nuk përtojnë të ushtrojnë dhunën e t’i vrasin, pa i bërë bef syri, kundërshtarët. Vendi vuan shumë nga ky çrregullim politik e ekonomik: ata pak të pasur që ka, ia kalojnë si s’ka më mirë, por shumica e popullsisë jeton në mjerim të tmerrshëm.
Imzot Romero, para se të bëhej ipeshkëv i San Salvadorit, kryeqytet i vendit, jetoi në një zonë tejet të varfër, ku pa me sytë e tij shfrytëzimin e fshatarëve, që detyroheshin të punonin, derisa u shteronin forcat, për pronarët e pasur, të cilët i paguanin shumë pak.
Për shumë kohë Oskar Romero nuk e ngriti zërin, por një ditë, kur sapo ishte emëruar ipeshkëv, një mikun e tij prift e mbytën vetëm pse kishte mbrojtur të varfrit. Ishte pika e fundit, që bie në kupën e mbushur përplot dhe e bën të derdhet. Imzot Romero zbriti në fushën e betejës. Tani e tutje në predikimet tij, në gazeta e deri në radio, dënon hapur padrejtësinë, korrupsionin e regjimit e dhunën e policisë.
E di fare mirë se fjalët e tij nuk u pëlqejnë ‘të gjithëve’, gjë që e dëshmon më së miri letra me kërcënime... Fjala e Oskar Romeros peshon rëndë, sepse ai është përfaqësuesi më i lartë i Kishës katolike në Salvador. Bëhet, kështu, njeri i padëshirueshëm, që duhet të heshtë, ose të zhduket. Po ai s’e ka fare në mend të heshtë. Kisha duhet t’u prijë njerëzve në ndërtimin e një bote më të mirë e më të drejtë. Kisha nuk mund të mbyllet në ndërtesat e saj. Kisha nuk mund e as nuk duhet të fshihet a të duartrokasë pushtetarët, sido qofshin. Kisha duhet të ngrejë zërin, edhe në se kjo mund t’i kushtojë shtrenjtë.
Imzot Romero u vra më 24 mars 1980 ndërsa po kremtonte Meshën. Dy javë para vrasjes, pati deklaruar. “Në se e pranon Zoti, uroj që vdekja ime të shërbejë për çlirimin e popullit tim. E në se më vrasin, thoni atyre që do ta bëjnë këtë, se i fal e i bekoj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.