Solidariteti i katolikëve jugkoreanë, në ndihmë të Japonisë
(23.03.2011 RV)Duke nisur nga 18 marsi, Konferenca e ipeshkvijve katolikë të
Koresë vijon të mbledhë ndihma për viktimat e tërmetit e të tsunamit, që dëmtoi Japoninë.
Karitasi Ndërkombëtar i Koresë, njofton agjensia AziaNjuz, do t’i dhurojë Karitasit
të Japonisë 100 mijë dollarë, si ndihma emergjence, duke përfshirë edhe 50 mijë dollarë
të organizatës “Një Trup e një Shpirt”, të kryedioqezës së Seulit. Më 18 mars Konferenca
ipeshkvnore katolike koreane u drejtoi një letër zyrtare të 16 dioqezave të Koresë
së Jugut, duke i ftuar të luten e të mbledhin ndihma për viktimat, si shprehje konkrete
e dashurisë së krishterë ndaj popullsisë japoneze, të goditur kaq rëndë, e t’i lënë
pas shpine grindjet e së kaluarës. Duhet kujtuar se ndërmjet dy vendeve ka pasur disa
konflikte, që arritën deri në pushtimin e Koresë nga Japonia. Prej këndej, shumë mllefe,
që po shikohen si të shkuara e të harruara. Këtë e vërteton qëndrimi i mbajtur menjëherë
pas gjëmës, që i ra mbi kokë popullit japonez. Më 14 mars, kryetari i Konferencës
së ipeshkvijve katolikë koreanë, imzot Peter Kang U-il, i drejtoi menjëherë mesazhin
e tij të solidaritetit kryeipeshkvit Leo Jun Ikenaga, kryetar i Konferencës ipeshkvnore
japoneze. “Ne, ipeshkvijtë e Koresë – shkroi imzot Kang – dëshirojmë të shprehim ngushëllimet
dhe solidaritetin tonë për pasojat tragjike të tërmetit më të madh, që ka provuar
deri më sot Japonia, pasuar nga tsunami e të lutemi për viktimat dhe për familjet
e tyre. Mbi të gjitha, i lutemi Zotit të mëshirës, t’i ndihmojë të gjithë e t’u ngjallë
shpresa të reja në këto orë vuajtjesh të papërshkrueshme, për të cilat është vështirë
të gjesh fjalë ngushëllimi. Ne-përfundonte prelati-nuk do të harrojmë ta shprehim
solidaritetin tonë edhe në mënyrë konkrete".