2011-03-23 18:04:02

Protesta në Siri. Gjendje emergjence në Jemen.


(23.03.2011 RV)Përveç Libisë, zien edhe pjesa tjetër e Lindjes së Mesme. Së paku 15 vetë u vranë nga forcat e rendit në Siri, gjatë një sulmi në xhaminë al Omari të Daraa-së, qytet 120 km në jug të Damaskut, epiqendra e protestave kundër regjimit të Bashar Asadit. Mjetet e propagandës i quajnë protestuesit “të infiltruar”, “provokatorë” e “të huaj”, por manifestimet po përhapen edhe në qytetet e tjera, si Jasemi dhe Naua. Sot, opozita deklaroi se çdo të premte do të organizohet një protestë kundër regjimit sirian, për të kërkuar më tepër liri, fundin e tiranisë e ligje të reja.
Në Jemen, parlamenti miratoi vendosjen e gjendjes së emergjencës në vend, ku prej javësh vazhdojnë protestat kundër presidentit Ali Abdallah Saleh. Në fakt, gjendja e emergjencës u shpall që më 18 mars, pas vrasjes së 52 manifestuesve nga forcat e regjimit. Sot, presidenti i propozoi opozitës organizimin e një referendumi mbi Kushtetutën dhe zgjedhje të reja brenda vitit. Saleh është në pushtet që prej 32 vjetësh.
Sipas ushtarakëve, në Bahrein gjendja po shkon drejt stabilizimit, por akoma “jemi në një fazë shumë të rrezikshme”, pohoi ministri i jashtëm. Janë pakësuar orët e shtetrethimit, vendosur pas protestave të javës së kaluar në kryeqytetin e Manamasë. Federata e përgjithshme e sindikatave anulloi grevën e sotme, në shenjë pajtimi me qeverinë. Bahreini udhëhiqet nga një familje mbretërore sunite, por 70% e popullsisë është shiite dhe denoncon diskriminime.







All the contents on this site are copyrighted ©.