2011-03-23 17:57:21

Papa në audiencën e përgjithshme: bota ka nevojë për paqe; besimtarët duhet të jenë paqësorë e paqësues.


(23.03.2011 RV)Sot bota ka shumë nevojë për paqe, ka nevojë për burra e gra paqësorë e paqësues: këtë theksoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, shenjë e rikthimit të pranverës. Katekizmi pati në qendër të vëmendjes figurën e Shën Lorencit nga Brindizi, doktor i shquar i Kishës në shekullin XVI dhe ungjillëzues i madh, që vijon t’i mësojë të krishterët e ditëve tona ta mbrojnë mesazhin e Krishtit nga rreziku i indiferencës fetare.RealAudioMP3

Nuk ekziston asnjë i krishterë, i denjë për këtë emër, që të mos jetë njeri i paqes. E nuk ekziston asnjë epokë, në të cilën kjo dëshmi e krishterë të mos jetë më se e nevojshme. Ky përfundim, në të cilin arriti Papa, buroi nga i gjithë katekizmi, kushtuar një figure të madhe të Kishës, që jetoi e predikoi në gjysmën e dytë të viteve 1500. Është fjala për Shën Lorencin nga Brindizi, mësimet e të cilit kanë vlerë të madhe edhe për ditët tona. Shenjti, shpjegoi Papa, ishte rregulltar kapuçin, shumë i zgjuar; tejet i ditur; njohës i madh i gjuhëve të huaja; predikatar i ndjekur nga turmat; meshtar, që njihte me themel jo vetëm Biblën, por edhe letërsinë rabinike. E njihte deri në atë masë, sa të shikohej me simpati e respekt të jashtëzakonshëm edhe nga hebrenjtë më të ditur. Por, si ndjekës besnik i Shën Françeskut të Asizit, rregulltari, mbi të gjitha, ishte njeri i paqes. Paqësor e paqësues! Kudo shkonte e kudo nisej me mision, hidhte farën e paqes, që niste e lulëzonte pas hapave të tij. Pikërisht mbi këtë tipar të Shenjtit vuri theksin Papa:
“Sot, ashtu si në kohët e Shën Lorencit, bota ka shumë nevojë për paqe, ka nevojë për burra e gra paqësorë e paqësues. Ata, që besojnë në Zotin, duhet të jenë gjithnjë burime të paqes e veprimtarë të saj”.
Shën Lorenci nga Brindizi, kishte aftësinë të kuptohej edhe nga njerëzit më të përvujtë, falë fjalës së tij të qartë e të urtë. Kjo mënyrë e kumtimit të Ungjillit, karakteristike për kapuçinët, e edhe për Urdhëra të tjerë të kohës, vërejti Benedikti XVI, kontribuoi për t’ia ndërruar faqen shoqërisë, duke u kujtuar të krishterëve se feja, në të cilën besojnë, duhet jetuar ditë për ditë:
“Edhe sot ungjillëzimi i ri ka nevojë për apostuj të përgatitur sa më mirë, të zellshëm e të guximshëm, që drita e bukuria e Ungjillit të fitojnë epërsi mbi orientimet kulturore të relativizmit etik e të indiferencës fetare e t’i shndërrojnë mënyrat e ndryshme të mendimit e të veprimit, në humanizëm të vërtetë të krishterë”.
Shën Lorenci ishte dëshmitar i madh i paqes, kumtues bindës, por edhe njeri i lutjes. E pikërisht dhurata e lutjes, që spikaste në figurën e Shën Lorencit nga Brindizi, duhet të spikasë edhe në figurat e meshtarëve të sotëm, sepse çasti i lutjes është më i rëndësishmi në jetën e meshtarit; e vetë lutja, mjeti kryesor, që e mbron nga rreziku i ravgimeve e i pështjellimeve:
“Në shkollën e shenjtorëve, siç është theksuar disa herë gjatë Vitit Meshtarak, çdo meshtar mund ta shmangë rrezikun e aktivizmit, të veprimtarisë praktike, duke harruar qëllimet kryesore të meshtarisë, vetëm në se kujdeset për jetën e vet shpirtërore. Në se ne vetë nuk jemi të bashkuar shpirtërisht me Zotin, si mund t’ia kumtojmë, pastaj, të tjerëve? Prandaj, nuk duhet harruar se Zoti është gjithnjë në krye të vendit!”.
Një personalitet kishtar e kulturor i kësaj natyre, nuk mund të mos linte gjurmë të thella edhe në fushën e dialogut. Në Gjermaninë e ndikuar nga Luteri, Lorenci nga Brindizi u bë përfaqësuesi më i shquar, ndërmjet atyre që ishin në gjendje t’ua shpjegonin në mënyrë shembullore doktrinën katolike të krishterëve, të cilët e kishin pranuar Reformën. Ishte i aftë, vijoi të pohonte Papa, të shpjegonte bazën biblike e patristike të të gjitha parimeve të fesë, të vëna në diskutim nga nismëtari i protestantizmit, si paria e Shën Pjetrit dhe e pasardhësve të tij; zanafilla hyjnore e ipeshkvnisë; shfajsimi, si shndërrim shpirtëror i njeriut; nevoja për të kryer vepra të mira, për shëlbimin e shpirtit:
Suksesi, që pati Shën Lorenci, na ndihmon të kuptojmë se edhe sot, në përpjekjen për ta çuar përpara, plot me shpresa të reja, dialogun ekumenik, ballafaqimi me Shkrimin Shenjt, lexuar në traditën e Kishës, përbën elementin e domosdoshëm, me rëndësi themelore, siç e kam kujtuar në Këshillimin Apostolik ‘Verbum Domini”.
Pas sintezës së katekizmit në disa gjuhë, Benedikti XVI përshëndeti posaçërisht anëtarët e Departamentit të Policisë Rrugore të Markeve, kryesuar nga kryeipeshkvi i Ankonës, imzot Edoardo Menikeli, të pranishëm në audiencë. Ata e besimtarët e tjerë, Papa i porositi ta kenë gjithnjë në qendër të vëmendjes njeriun, sipas mësimeve të Kishës.









All the contents on this site are copyrighted ©.