2011-03-23 18:05:09

Alarm për radioaktivitet në Japoni. Uji i Tokios u ndalohet fëmijëve.


(23.03.2011 RV)Alarmi bërthamor vazhdon të jetë i lartë në Japoninë e prekur rëndë nga tërmeti e nga tsunami i 11 marsit. Edhe sot doli tym nga centrali i Fukushimës e tërmete të tjera, edhe pse më të vogla, frikësojnë popullsinë. Pikërisht pranë centralit, tërmeti i sotëm arriti në 4,7 ballë të shkallës Rihter, jo shumë i madh për Japoninë, por gjithsesi i rëndësishëm.
Nga dita në ditë, rritet numri i viktimave të tërmetit të parë, që kujtojmë, ishte 8,9 ballë të shkallës Rihter. Sipas bilancit të fundit, 22 mijë vetë kanë mbetur nën rrënoja, ose janë zhdukur nën valët e tsunamit. Me mijëra, të shpërngulurit.
Ndërkaq, ndotja radioaktive në vend rritet e agjensive bërthamore ndërkombëtare u duhet të sqarojnë se reja nga Japonia, që mbërrin në Evropë, nuk është e rrezikshme. Kryeministri japonez i kërkoi prefekturës së Ibarakit të mos shpërndajë qumësht dhe majdanoz dhe i ftoi japonezët të mos konsumojnë ushqimet e Fukushimës. SHBA-të ndaluan importimin e disa prodhimeve ushqimore nga Japonia. Rritet edhe radioaktiviteti i ujit në Tokio, që kapërcen nivelin e lejueshëm për fëmijët. Për këtë arsye, fëmijëve u është ndaluar të pijnë ujë nga çezmja. Dëmet e tërmetit arrijnë nga 185 deri në 308 miliard dollarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.