Më 22 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Lean, matronë romake.
(22.03.2011RV)Lea, emër që vjen nga latinishtja e do të thotë Luaneshë, jetoi e vdiq
në shekullin IV. Lindi e u rrit në një familje patricësh e në një familje të tillë
shkoi nuse në moshë fare të re. Pak kohë pas martesës, mbeti e vejë. Nuk kërkoi fat
tjetër, për t’iu kushtuar plotësisht Zotit në bashkësinë e Marçelës, në Aventin, ku
shpejt u bë Nënë Eprore. Ishte një nga matronat romake të grupit të drejtuar nga
Shën Jeronimi, në të cilin bënin pjesë edhe Shën Paola e zonja të tjera të fisnikërisë
romake të kohës. E është pikërisht Shën Jeronimi ai, që na njeh me jetën e Shën Leas
në një letër, shkruar pas vdekjes e varrimit të saj në Ostia. Duke jetuar në lutje
e pendesë, u bë mësuese e përsosurisë ungjillore, më shumë me vepra, sesa me fjalë.
Jeta e saj, që asokohe shumë kujt iu duk marrëzi, sot tingëllon si model i
zgjedhjes së një rruge të vështirë, por të lumnueshme. Duke braktisur pushtetin e
luksin, për t’iu kushtuar shërbimit të Zotit e të njeriut, duke thelluar fenë me studim
e duke e predikuar me shembull, Shën Lea na kujton se rruga e shenjtërisë nuk është
më e lehta, por sigurisht është rruga më e mirë që mund të zgjedhë njeriu i të gjitha
kohërave.