Bombardime të reja në Libi. Koalicioni ndërkombëtar debaton mbi komandën e misionit.
Në Libi, vazhdon operacioni i koalicionit ndërkombëtar “Odiseja në agim”. Gjatë natës
së djeshme filloi vala e tretë e bombardimeve. Objektivi i avionëve të koalicionit
ndërkombëtar janë sidomos kundërajrorët dhe radarët në qytetin e Tripolit e të Sirtes,
për të respektuar kështu zonën e ndalim-fluturimit. Një nga avionët amerikanë është
rrëzuar në afërsi të Bengazit për motive teknike. Piloti është shpëtuar nga kryengritësit,
të cilët nuk duan të ulen në tryezën e bisedimeve me liderin libian Gedafi. Ndërkaq,
forcat qeveritare kanë qëlluar sot me tanke kundër qytetit Misrata, deri tani në duart
e rebelëve. Një dëshmitar deklaroi se janë vrarë katër fëmijë, ndërsa numri i viktimave
që nga dita e djeshme, ka arritur në 40. Në zonën e Tobrukut, janë arrestuar tre gazetarë
perëndimorë, dy prej të cilëve korrespondentë të agjensisë “France Press” dhe njëri,
fotograf i agjensisë amerikane “Getty Images”. Regjimi sulmon edhe Zintanin, ku një
ushtar, i kapur nga rebelët, tregoi se Gedafi jep 600 dinarë (350 euro) për çdo kryengritës
të vrarë. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët nënvizon gjithashtu, se luftimet
i kanë shtyrë njerëzit të largohen për në lindje të vendit. Në planin ndërkombëtar,
mungon akoma marrëveshja për mënyrën e veprimit dhe rolin e NATO-s, kërkuar sidomos
nga Italia, për të zëvendësuar komandën aktuale amerikane të operacionit “Odiseja
në agim”, të cilën dëshiron ta marrë Franca. Dje, ministrat e jashtëm të Bashkimit
Evropian arritën të miratonin vetëm paketën e re me sanksione kundër regjimit libian.
Ndër masat, bllokimi i pasurisë së 11 vetëve, që do t’u shtohen 27-ve të parashikuar
më parë dhe kufizimi i veprimtarisë për nëntë institucione financiare. Ndërkaq, mbi
mundësinë e kalimit të komandës së operacionit në duart e NATO-s shprehet njëri nga
vendet anëtare, Turqia. Sipas kryeministrit Erdogan, ndërhyrja e Paktit të Atlantikut
duhet t’i nënshtrohet rregullave të përcaktuara qartë, që nuk parashikojnë plumba
kundër popullsisë. Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus kërkon armëpushimin e menjëhershëm
dhe fillimin e bisedimeve me Gedafin e kryengritësit.