2011-03-21 14:01:50

Shugurimi i Kishës së re famullitare romake kushtuar Shën Korbinianit. Papa porosit: “Bëjeni të njohur fytyrën e Zotit, ndihmojini familjet në vështirësi”.


(21.03.2011 RV)“Kush dëshiron të jetojë sipas vullnetit të Zotit, duhet të ecë në gjurmët e Jezusit, duke e dëgjuar, duke ia pranuar fjalët e duke u thelluar në kuptimin e tyre”: kjo është ftesa e Benediktit XVI, drejtuar dje besimtarëve të famullisë romake të Shën Korbinianit, duke e kushtuar për shërbimet e kultit. Në homelinë e Meshës, kremtuar me këtë rast, Papa foli kryesisht për bashkësinë e krishterë të Kazal Palokos, ku sapo është ndërtuar Kisha e re, duke nënvizuar se misioni i besimtarëve është t’ia çojnë të gjithëve lajmin e madh të dashurisë së Zotit, ta bëjnë fytyrën e tij të njohur kudo e kurdoherë.RealAudioMP3
U nis nga misteri i Shndërrimit të Zotit, rrëfyer në Ungjillin e së Dielës II të Kreshmëve, Benedikti XVI, për të shpjeguar se Hyji dëftohet në Krishtin, se kush dëshiron ta njohë, duhet të kundrojë fytyrën e Jezusit; pikërisht në këtë fytyrë – vijoi Papa – ne mund të shikojmë qartë shenjtërinë, mëshirën, vullnetin hyjnor:
“Vullneti i Hyjit na zbulohet plotësisht në vetjen e Jezusit. Kush dëshiron të jetojë sipas vullnetit të Hyjit, duhet të ndjekë pas Jezusin, ta dëgjojë, t’ia pranojë fjalët e, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të hyjë në zemrën e tyre”.
Duke iu drejtuar besimtarëve të famullisë, Papa kujtoi misionin e çdo bashkësie të krishterë:
“.. misioni i çdo bashkësie të krishterë është t’ia çojë të gjithëve mesazhin e dashurisë së Hyjit, t’ua bëjë të njohur fytyrën e tij (…). Me vizitën time, dëshiroj t’ju inkurajoj ta realizoni gjithnjë më mirë misionin tuaj në këtë Kishë me gurë të gjallë, që jeni ju vetë.. ta bëni Kishën tuaj vend, në të cilin njeriu mëson të dëgjojë Fjalën e Zotit, shkollë e përhershme e jetës së krishterë, prej nga niset çdo veprimtari e kësaj famullie të re, plot gjallëri ”.
Më pas Ati i Shenjtë theksoi në mënyrë të posaçme vëmendjen që duhet treguar për familjet, posaçërisht për ata, që jetojnë në varfëri, që përballojnë kushte shqetësuese, ose të parregullta:
“Mos i lini vetëm; qëndroni pranë tyre me dashuri, duke i ndihmuar ta kuptojnë planin e vërtetë të Hyjit për martesën e familjen”.Në përfundim Papa i drejtoi një përshëndetje të posaçme të rinjve, në duart e të cilëve janë e sotmja dhe e ardhmja e bashkësisë kishtare e civile. “Kisha – u tha Benedikti XVI – pret shumë nga entuziazmi juaj, nga aftësia juaj për të shikuar përpara e nga dëshira për të ecur me vendosmëri në rrugët më të drejta e më të ndritura të jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.