2011-03-21 17:51:08

Në Libi vazhdojnë bombardimet. Zëra mbi vdekjen e njërit prej bijve të Gedafit.


(21.03.2011 RV)Operacioni ushtarak “Odisea në agim” në Libi mbërriti në ditën e tij të tretë. Sipas një bilanci të përkohshëm, hartuar nga qeveria e Muhamar Gedafit, viktimat e sulmeve ajrore të koalicionit ndërkombëtar kanë arritur në 64 vetë. Është bombarduar edhe kompleksi i Bab al Azizija në kryeqytetin libian, ku e ka rezidencën raisi i Libisë.RealAudioMP3
Burime lokale, të përgënjeshtruara nga regjimi, referojnë se dje ka vdekur Khamis Gedafi, djali i kolonelit libian, për shkak të plagëve, marrë ditët e kaluara. Forcat qeveritare, që sulmuan Bengazin, u detyruan të tërhiqen në ad Ajxhabija, 160 km në jug.
Nga fronti tjetër, Këshilli Kombëtar i Tranzicionit bëri të ditur se që nga fillimi i revoltës, janë vrarë 8 mijë kryengritës. Një nga zëdhënësit njoftoi se trupat qeveritare po transferojnë civilë në Mizurata për t’i përdorur si mburoja njerëzore. Shqetësuese, edhe gjenda e sistemit shëndetësor në vend. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, popullsia libiane mund të infektohet nga epidemi virusesh, që përhapen për shkak të mungesës së ujit dhe të ushqimeve të kontrolluara.
Ndërkaq, në Kajro, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun qe sot paradite objektiv i manifestuesve pro-Gedafit. Lidhja Arabe, nga ana e saj, konfirmoi mbështetjen për rezolutën 1973 të OKB-së, por sekretari i saj, Amr Musa kujtoi edhe se objektivi i ndërhyrjes ushtarake është mbrojtja e civilëve. Operacioni ushtarak, sipas SHBA-ve, do të vazhdojë, pasi Libia nuk respekton armëpushimin e deklaruar nga Gedafi, pavarësisht se Bashkimi Evropian, duke miratuar sot sanksione të reja kundër vendit, ushtroi presion që komanda e operacionit “Odisea në agim” t’i kalojë NATO-s. Faza e dytë e tij parashikon sulme mbi forcat, që furnizojnë trupat e liderit të Tripolit.
Në kryeqytet, popullsia jeton me ankth. Vikari apostolik, imzot Gjovani Inoçenco Martineli referon se zona po boshatiset, se shumë banorë largohen nga frika e bombardimeve. Gjithsesi, të paktën në Tripoli, gjendja duket më e qetë. Të dëgjojmë njërin nga gazetarët e paktë, të mbetur në qytet, italianin Kristiano Tinaci, të cilin e pyetëm nëse është e vërtetë që qeveria do të përdorë mburoja njerëzore:

Janë transferuar civilë, por kanë shkuar vullnetarisht. Që prej tri ditësh, kazerma Bab el Azizija është vend, ku qarkullojnë shumë njerëz e makina: janë mijëra vetë, që zenë vendin e njëri-tjetrit, sidomos të rinj, gra e fëmijë. Kazerma është e hapur për të gjithë. Arrijnë deri në pikën, ku ndodhet ndërtesa e bombarduar nga amerikanët në vitin 1986, pranë tendës së Gedafit.

Cilat janë thirrjet e qeverisë për popullsinë?

Janë thirrje që nxisin për luftë kundër atij që quhet ‘sulm i Perëndimit’. Gjatë ditëve të fundit, njerëzit po nxehen gjithnjë e më shumë. Shpesh ndodh që hyjnë brenda hotelit, ku qëndrojmë edhe ne gazetarët, për të akuzuar mediat e huaja se nuk tregojnë të vërtetën mbi Libinë. Nga ana tjetër, kolonel Gedafi po i kërkon gjithë popullsisë të mbrojë vendin. Flitet për armatosjen e mijëra vetëve. Është e sigurtë se shumë janë ata që kanë vendosur të përkrahin qeverinë. Absolutisht nuk ka shenja proteste në Tripoli. Lajmet që vijnë nga Bengazi jepen gjithnjë nga televizioni shtetëror e nga propaganda e regjimit. Të gjithë flasin për Al Kaedën e për terroristë, që mbështeten nga fuqitë perëndimore, të cilat duan vetëm të ndajnë Libinë dhe naftën e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.