2011-03-19 09:41:22

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


Me 20 mars, e diel, Kisha kremton të Dielën e Dytë të Kreshmëve e po këtë ditë më 20 mars, kalendari liturgjik kujton edhe festën e Shën Gjon Nepomuçenit dhe Shën Klaudies. Liturgjia na kujton se Jezusi është gjithnjë i gatshëm ta ndihmojë secilin prej nesh.Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktisë nxënësit e vet. Vetëm kur Ai është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.
Të hënë më 21 mars, kalendari Kishtar përkujton Shën Nikollën nga Flye, Pajtor i Zvicër. Figura e tij na kujton se Zoti na do deri në atë pikë, sa të na dhurojë të Birin e vetëm, duke pranuar vdekjen e tij në kryq për të na çliruar ne nga vdekja e amshuar.
Të martën e ardhshme 22 mars, bie përkujtimi i Shën Leas, vejushë romake dhe Shën Palit, ipeshkëv i Narbonës. Liturgjia e Fjalës së Zotit, na kujton se të kesh fe, do të thotë t’i besosh Zotit e të lëshohesh plotësisht në dorë të tij, edhe në çastet e rënda të provës, ashtu si bëri Moisiu. Duhet ta dimë mirë se e keqja nuk na vjen kurrë nga Zoti, madje ai na rri gjithnjë pranë e nuk na braktis kurrë.
Të mërkurën më 23 mars, bie përkujtimi i Shën Turibit të Mogrovejos, ipeshkëv i Limës e Shën Rebekes, të cilët na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.
Të enjten më 24 mars kalendari kishtar përkujton Shën Katerinën e Suedisë, virgjër, e bija e Shën Brigjidës, e cila na kujton se të ndjekësh Krishtin nuk është aspak punë e lehtë: mund të shkaktojë vuajtje të padurueshme, si ato të Jeremisë profet, të cilat na i kujton liturgjia e festës.
Të premten më 25 mars, do të kremtojë Lajmërimin e Zotit. Solemniteti na kujton përgjigjen që i dha Virgjëra Mari Kryeengjëllit Gabriel: “Qe shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. Edhe sot, si atëherë, Zoti nuk e detyron askënd të ndjekë rrugën e Tij. Zoti na fton, nuk na detyron. Na përket ne t’i japim atë përgjigje që i dha Maria.
Gjithnjë të premten më 25 mars kalendari përkujton edhe Shën Hajdutin e Mirë, Shën Kuirinin martir e Shën Luçia Filipinin, virgjër, themeluese e mësueseve të përshpirtshme Filipini, prej vitesh me mision në Shqipëri, sidomos në Berat.
Të shtunën që vjen më 26 mars kalendari kishtar përkujton shën Kastullin, martir. Në liturgjinë e ditës jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfërin që të lutet!”.
Të dielën e ardhshme më 27 mars, Kisha do të kremtojë të dielën e Tretë të Kreshmëve e po më 27 mars bie edhe përkujtimi i Shën Rupertit, ipeshkëv i Salcburgut, na kujton se edhe ne nganjëherë ndjehemi të lodhur e të shkurajuar, si populli hebraik në shktetëtirë, sepse kemi pak besim në shpëtimin që vjen nga Zoti në Jezu Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.