2011-03-19 09:45:51

Më 20 mars 1554 nis veprën “Meshari” prifti shqiptar dom Gjon Buzuku.


Duke shfletuar kalendarin historik të 20 marsit, kujtojmë se pikërisht si sot më datën 20 mars të vitit 1554 e nisi veprën e vet me vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore e kombëtare, “Mesharin” prifti shqiptar dom Gjon Buzuku. Kjo vepër, pra ‘Meshari’ që është në të njëjtën kohë me vlerë e përmbajtje liturgjike e letërsie për shqiptarët, mbetët libri më i vjetër në gjuhën shqipe që njohim deri më sot.
Dom Gjon Buzuku duke pa nevojën e madhe që kishin besimtarët e krishterë shqiptarë për të dëgjuar e kremtuar Fjalën e Zotit, Liturgjinë e Sakramentet e Shenjta në gjuhën amtare, vendosi të përpilonte këtë vepër që shërbente për meshtarët e kohës gjatë kremtimeve të ndryshme liturgjike në gjuhën e popullit. Për të plotësuar këtë nevojë shpirtërore e kombëtare, dom Gjon Buzuku e nisi veprën e tij më 20 mars të vitit 1554 dhe e përfundoi më shkurt të vitit 1555. Me sa merret vesh, po atë vit u krye dhe shtypja e librit.
Këtë të dhënë e gjemë në Meshar, ku dom Gjon Buzuku shkruan:”Ndë vjetët M.D.L.IV. (1554) njëzet dit ndë mars zuna nfill, e mbarova ndë vjetët një M.D.L.V. (1555) ndë kallënduor v (5) dit”.
Po kujtojmë se Johannes Gutenbergu kishte shpikur më 1445 shtypshkronjën me shkronja të derdhura të lëvizshme dhe shtypshkrimi kishte marrë zhvillim në Evropë.
Libri dhe fati i tij
Një tog rrethanash ende të pandriçuara bënë që libri i dom Gjon Buzukut të binte në harresë të plotë për gati dy shekuj. Atë e zbuloi dom Gjon Kazazi, një meshtar shqiptar nga Gjakova, i cili, duke u ndodhur në Romë më 1740 (ku u emërua argjipeshkëv i Shkupit), e gjeti me habi të madhe këtë libër në bibliotekën e kolegjit të Propagandës së Fesë (Propaganda Fide), ku kishte studiuar vetë më parë. I ngazëllyer nga ky zbulim, dom Gjon Kazazi kopjoi Pasthënien e librit dhe një pjesë tjetër të shkurtër, atë të ritit të martesës dhe ia dërgoi Imzot Gjergj Guxetës, themeluesit të Seminarit shqiptar të Palermos, i cilësuar si "prototip i fisnikërisë së shpirtit e i burrërisë e i bujarisë së kombit shqiptar". Kleriku gjakovar e përshkruan librin si "Meshar" fort i lashtë shqip krejt i grisur prej vjetërsie". Nga fundi i sh. XVIII libri kaloi në koleksionin e librave orientalë të kardinalit Stefan Borxha e së këtejmi në Bibliotekën e Vatikanit, ku u rizbulua më 1909. Nxitës i këtij zbulimi qe Pal Skiroi, peshkopi i arbëreshëve të Sicilisë (1866-1941), i cili kishte në bibliotekën e Seminarit të Palermos pikërisht ato dy fletë të kopjuara nga dom Gjon Kazazi. Imzot Pal Skiroi është edhe studiuesi i parë i "Mesharit" të Buzukut, por puna e tij ka mbetur pak e njohur, sepse pak gjë arriti të botojë sa qe gjallë.
Më 1929 françeskani shqiptar atë Justin Rrota, atëherë profesor i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve klasike në gjimnazin e Shkodrës, u dërgua në Romë për të nxjerrë kopje fotografike të librit të Mesharit e për t'i sjellë në Shqipëri, punë që e bëri duke e sjell për studiues në vendlindje.
Më vonë studiues tjerë kanë analizuar, gjurmuar e shkruar mbi këtë vepër kaq të veçantë liturgjike, që përmban rite e tekste të shkruara për kremtime, e që në fjalorin e kishtar të kohës, quhet ‘Comes’, apo ‘Liber Comitis’.







All the contents on this site are copyrighted ©.