519 vjet më parë Lekë Matrënga përfundoi Doktrinën e parë të Krishterë në dialektin
toskë.
Më 20 mars 1592 në Piana dei Greci të Sicilisë, dom Lekë Matrënga përfundoi
veprën e dytë të shqipes së shkruar 'E mbsuame e krështerë', pas Mesharit
të Buzukut. Titullohet E mbsuame e krështerë. Është, pra, Doktrina e parë e Krishterë
në gjuhën shqipe. Katekizmi prej njëzetetetë faqesh, u përkthye nga vepra jezuitit
spanjoll, Jakob Ledesma (1516-1575) shkruar latinisht. Kopja e përkthimit në dorëshkrim,
që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me
sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini
3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një
kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti 'me lejen e të parëve' dhe u zbulua nga
Mario Rok (Mario Roques). Titulli i plotë i botimit është: "Embsuame e chraesterae.
Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae
laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam
i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P.
Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per
Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma" (Doktrina e krishterë. Bërë
nga i urti Atë Ledesma i Shoqatës së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe
nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.) Vepra e Matrëngës përmban
një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut
të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet meshtarit e besimtarit
që përgatitet për të marrë sakrakmentet. U hartua për t'u përdorur nga arbëreshët
që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje
me prejardhje shqiptare në Kalabri e në Pulje. Ja edhe vjersha, titulluar ‘Këngë
e përshpirtshme” që konsiderohet si një nga vargënimet e para në gjuhën shqipe: “Gjithëve
u thëres, kush do ndëliesë, Të mirë të krështe, bura e gra, mbë fjalët të Tinëzot
të shihi Meshë, se s’ishtë njerii nesh që mkatë s’’kaa;; e lum kush e kujton
se ka të vdesë, e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa, se Krishti ndë parrajsit
i bën pjesë, e bën për bijr të tij e për vëlla”… vargje që në shqipen e sotme
tingëllojnë si thirrje aktuale drejtuar besimtarëve në këtë kohë të fortë Krezhmësh: Të
gjithëve ju thërres, kush do ndjesë, Të krishterë të mirë, burra e gra, me fjalë
të Tënzot të shihni Meshë, se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka. E lum
kush kujton se do të vdesë. E mendtë bashkë në Tënzonë i ka, se Krishti në parajsë
atij i bën pjesë, e bën për bir të tij e për vëlla”. Vetëm me 28 faqe, ‘Doktrina
e Krishterë’ e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i
dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë e shkruar në toskërishte
nga një arbëresh.