2011-03-18 14:44:53

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan: dëshmia e një shkrimtari dhe një nëne të re fokolarine


Dita e gjashtë e Ushtrimeve shpirtërore në Vatikan për Papën dhe Kurien Romake, me rastin e Kreshmëve. Ushtrimet filluan të dielën e kaluar në kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik e do të përfundojnë nesër. Meditohet mbi temën: “Drita e Krishtit në zemër të Kishës – Gjon Pali II dhe teologjia e shenjtorëve”.
Meditimin e parë të paradites së sotme, atë Fransua-Mari Létel, rregulltar francez i Urdhërit të Karmelitanëve të zbathur, profesor pranë Fakultetit teologjik Terezianum, ia kushtoi shkrimtarit francez Sharl Pegí, duke u përqendruar tek tema “Teologjia poetike e bashkësisë së shenjtorëve dhe e shpresës”. Karmelitani kujtoi posaçërisht lirikat mistike, shkruar nga Pegi pas vitit 1907, kur u kthye në katolicizëm, duke u ndaluar posaçërisht tek veprat “Misteri i dashurisë së krishterë në shpirtin e Zhanës D’Ark”, “Tremja e misterit të virtytit të dytë”; “Misteri i Shenjtorëve të pafajshëm”; “Eva”, e vepra të tjera, që përshkuan sot një pjesë të mirë të meditimit në Vatikan.
Më pas predikatari reflektoi mbi temën: “Ç’do të thotë të jesh nënë”, duke pasur parasysh laiken mistike, Konsepsion Kabrera de Armida, nënë familjeje, shpallur ‘E Nderuar” nga Gjon Pali II, në vitin 1990, lumnuar në vitin 2010. Është e Lumja e parë e Lëvizjes së Fokolarëve, dëshmitare e Jezusit të braktisur, burim bashkimi për të gjithë njerëzit. Ushtrimet shpirtërore përfundojnë nesër paradite, në solemnitetin e Shën Jozefit, dita e emrit të Papës Jozef Racinger, i cili do të rikthehet në veprimtarinë e zakonshme, duke filluar nga e diela e ardhshme, kur do të përurojë Famullinë e re romake të Shën Korbinianos.







All the contents on this site are copyrighted ©.