Nata e festës së Shën Jozefit, pajtorit qiellor të Kishës universale që kremtohet
nesër
Sonte bie nata e festës së Shën Jozefit, fatit të së Lumes Mari Virgjër e pajtorit
qiellor të Kishës universale që kremtohet më 19 mars Pra nesër më 19 mars, Papa
Jozef Racinger feston ditën e emrit në festën e Shën Jozefit, pajtor i Kishës universale,
që është shenjt shumë i dashur për Benediktin XVI si dhe mbarë popullin e krishterë
kudo në botës e kështu edhe ndër shqiptarë. Shën Jozefi ishte njeri i drejtë,
zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë së mistershme
hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, Jozefi e pranoi me fe planin e
Hyjit. 40 ditë pas lindjes së Jezusit, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën Hyjnore në
Jeruzalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli
një ardhmëri të vështirë e të mistershme për këtë fëmijë. Jozefi e dëgjoi dhe
i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim
drejt Jeruzalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet.
E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi u dha një përgjigje
që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën
Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit. Nganjëherë
të krijohet përshtypja se figura e Shën Jozefit mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë
klasike. Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme.
Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit,
bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet,
siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati
gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi. Koncili II i
Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën ku flitet për thirrjen
e të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Papa Gjon Pali II,
në Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të zakonshme
për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar
çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi pikërisht
kështu. E jetoi me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte caktuar
Zoti. Baballarët e sotëm e të gjithë ne, mund të nxjerrim shumë mësime nga figura
e Shenjtit. Duhet të mësojnë sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen
dashur e nuk duhen zotëruar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë
duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi
zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak
nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet
sa më mirë që të jetë e mundur.