Më 18 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Çirilin e Jerusalemit, ipeshkëv e doktor
i Kishës
(18.3.2011 RV)Shën Çirili jetoi në kohën plot trazira të Kishës së shekujve të parë.
U detyrua të merrte pjesë gjallërisht në diskutimet teologjike, nganjëherë tepër të
ashpra, të përziera me ligështitë njerëzore e të ndërthurura me politikën, me luftërat
e jashtme për mbrojtjen e perandorisë e me konfliktet e brendshme për të shtënë në
dorë fronin, duke përdorur për këtë qëllim edhe fenë. Mjafton të kujtojmë disa
data, për ta kuptuar sa e vështirë qe jeta e Shenjtit: i zgjedhur ipeshkëv i Jerusalemit
në vitin 348, në vitin 357 u zëvendësua me një tjetër. Shkaku: ipeshkvi Akaçi i Çezaresë
në Palestinë (i cili e pati shuguruar) e akuzoi për gabime doktrinore e, për më tepër,
nisi të pretendonte që selia ipeshkvnore e Jerusalemit të varej nga selia e tij e
Çezaresë, asokohe kryeqytet administrativ i Palestinës dhe seli e prokurorëve romakë. Në
vitin 359 një koncil vendas i ipeshkvijve e rehabilitoi e ai u rikthye në katedrën
e Jerusalemit. Por, pa kaluar as dy vjet, u dëbua përsëri nga një koncil tjetër, i
mbledhur në Kostandinopojë me këmbënguljen e Akaçit, që kishte ndikim të fuqishëm
mbi perandorin filo-arian, Kostancin. Kujtojmë këtu se Akaçi, ipeshkëv ndërmjet viteve
340-366, qe një nga personalitetet më në zë të kohës. Pasardhës i ipeshkvit të madh,
Euzebit, vijoi ta pasuronte bibliotekën e Çezaresë. Për të flet edhe Shën Jeronimi,
që i vlerëson lart veprat e tij të mëdha, siç janë komentet dhe interpretimet e Shkrimit
Shenjt, të cilat më vonë humbën të gjitha. Në vitin 362, pas vdekjes së Kostancit,
që ishte në luftë kundër persianëve e pastaj kundër të kushëririt, Julianit, Çirili
u kthye në Jerusalem. Por, rreth vitit 367, perandori Valent e dënoi përsëri. Shenjti
u internua, për t’u rikthyer përfundimisht në selinë e vet vetëm në vitin 378, pas
vdekjes së Valentit në luftën kundër gotëve. Në vitin 381 Çirili mori pjesë në
Koncilin II Ekumenik të Kostandinopojës e, më pas, në vitin 382, edhe në Koncilin
III, gjatë të cilit u ripohua vlefshmëria e shugurimit të tij si ipeshkëv i Jerusalemit
ku, më në fund, jetoi i patrazuar deri në vdekje. Në vitin 1882, pesëmbëdhjetë
shekuj më vonë, Papa Leoni XIII e shpalli Dijetar të Kishës, duke theksuar vlerën
e katekizmit të tij, kushtuar kryesisht kandidatëve për Pagëzim dhe të sapo pagëzuarve.
I akuzuar në kohën e tij për lidhje me rrymat e arianizmit, ai në të vërtetë i kundërvihet
doktrinës ariane mbi Krishtin; madje e deklaron qartë Bir të Zotit për natyrë e jo
për bijësi, e njëkohësisht, të amshuar, si vetë Ati. Mësimi i Çirilit të Jerusalemit
do të sfidonte shekujt: do të rikujtohej, së bashku me mësimet e etërve të tjerë të
Kishës, edhe në shekullin XX, në dy kushtetuta dogmatike të Koncilit II të Vatikanit:
“Lumen gentium”- mbi Kishën dhe “Dei Verbum”- mbi Zbulimin Hyjnor. E akoma, në dekretin
“Ad gentes”- mbi veprimtarinë misionare të Kishës në botën bashkëkohore. Kujtojmë
se emri Çiril vjen nga greqishtja e do të thotë: njeri i fortë. Simboli i Shenjtit
–ipeshkëv është shkopi baritor. Shën Çirili i Jerusalemit (313/315, Jerusalem - 18
mars 386) ishte një teolog dhe ipeshkëv i Jerusalemit. Si kisha katolike dhe ajo ortodokse
e nderojnë atë si shenjt dhe at të kishës, dhe e kremtojnë ditën e tij përkujtimore
me 18 mars ndërsa Kisha e Lindjes me 20 mars. Papa Leoni XIII në vitin 1883 i dha
atij titullin "Doktor i Kishës". Çirili i Jerusalemit (313– 386) Çirili
u lind në Jerusalem rreth viteve 313-315. Në Jerusalem u edukua dhe fitoi diturinë.
Për meshtar u shugurua në moshën tridhjetë vjeçare. Njihet si katekist i madh. Ishte
ipeshkëv i Aleksandrisë. Edhe Çirili e përjetoi fatin e shumë shokëve, të cilët kishin
probleme dhe kokëçarje të madhe me arianizmin. Shumë njerëz me ndikim që kishin në
popull pranuan këtë herezi dhe Kisha vuante shumë nga ata. E keqja që vinte nga arianitët
ishte se ata kishin ndikim aq të madh tek njerëzit, sa që edhe ipeshkvijtë i largonin
nga selitë e tyre, siç theksuam edhe më lart. Edhe Çirili tri herë ishte i larguar
nga selia e tij në Jerusalem, sepse u qendronte besnik mendimeve që ishin thënë në
Koncilin e Nicesë. Gjithashtu edhe në Koncilin e Konstantinopolit (v. 381) u hodhën
poshtë mendimet dhe mësimet e arianizmit. Çirili ishte i fortë me qëndrim dinjitoz,
që nuk lëshonte pe në gjërat qenësore. Pikërisht kjo e bëri atë të madh. Ai luftoi
dhe ngadhënjeu mbi mësimet e arianizmit, sepse i shërbeu Krishtit ashtu si Ai kërkoi. Sa
u përket shkrimeve të tija, janë të ruajtura 24 predikime katekistike, të cilat i
kishte mbajtur në bazilikën e Varrit të shenjtë dhe në kapelën e Ngjalljes së Jezusit.
Në këto predikime Çirili shtjellon të vërtetat e fesë në tri sakramentet: pagëzimin,
krezmimin dhe Kungimin e shenjtë. Ndërsa në 14 predikimet tjera flet dhe spjegon Besojmen.
Shpesh herë këto predikime i ndërlidhte me jetën e përditshme. Ishte i lehtë për t`u
kuptuar. Ndërsa me predikimet e veta dëshmon se e njeh mirë njeriun si krijesë të
Zotit me të gjitha të mirat dhe të këqijat në vete. Shumë njerëz kërkonin nga ai
mësime dhe konsultime të ndryshme. p. sh. disa paganë kërkonin këshilla, sepse donin
të martohen me vajza të krishtera. Çirili u thoshte se motivi për të cilin dëshironi
të kaloni në fenë e krishterë nuk është i lartë dhe i mirë, por sidoqoftë më duhet
të them se je i caktuar për shëlbim. Zotëria është ai i cili të zuri me grep, por
jo që ta marrë jetën veçse ta sigurosh edhe atëherë kur e ndërron këtë jetë. Ai lejon
që të vdesim por me fuqinë hyjnore të veten na ngjall për jetën e pasosur. Pra, mos
harro se edhe apostulli thotë: duhet të vdesim për kah mëkati e të jetojmë në drejtësi.
Prandaj vdis për kah mëkati, që nga dita e sotme të jetosh. Në këtë mësim shihet
thjeshtësia dhe mësimi mjaft bindës i Çirilit. Kjo është vetëm një pjesë e jetës
së Çirilit, i cili u shqua si bari i mirë për ta ruajtur grigjën që Kryebariu ia kishte
lënë në kujdes. Ai për Kishën thotë se është katolike sepse është e përhapur në
katër anët e botës, sepse ajo mëson të gjitha dogmat për të mirën e njerëzimit që
të vijnë deri tek njohuria e vërtetë. Quhet Kishë për arsye se i thërret dhe i ka
të gjithë njerëzit e të gjitha shtresat të cilët i nënshtrohen dhe e adhurojnë një
Zot të vetëm: qeveritarët dhe të nënshtruarit, të dijshmit e të pa dijshmit, të pasurit
e të varfrit. Të gjithë së bashku e përbëjnë një Kishë të vetme. Çirili ishte gojëtar
i madh i shekullit të katërt. Nuk e kishte në kujdes të futej thellë në teologji,
por të vërtetat e fesë i flet thjesht dhe me një fjalor popullor. Çirili vdiq
me 18 mars 386. Papa Luani i XIII e shpalli Mësues të Kishës në vitin 1882.