Në Japoni vazhdon emergjenca bërthamore, po punohet pareshtur për ftohjen e reaktorëve
Me topa që hedhin ujë e helikopterë ushtarak që shkarkojnë nga lartë, autoritetet
japoneze po provojnë t’ia arrijnë ftohjes së reaktorëve 3 e 4 të centralit të Fukushimës,
nga të cilët, sipas Entit bërthamor të SHBA-së, del avulli radioaktiv “jashtëzakonisht
i fortë, me fuqi vdekjeprurëse”. Presidenti amerikan Obama e kryeministri japonez
Naoto Kan kanë folur telefonikisht e presidenti amerikan pohoi se SHBA bashkëpunojnë
“në të mënyrat e mundshme”, dhe premtoi dërgimin e ekspertëve tjerë bërthamor amerikanë
në Japoni. Bilanci i tërmetit e cunamit është azhurnuar në 5.187 të vdekur e 8.606
të zhdukur, mirëpo vetëm në rajonin e Miyagut të zhdukurit janë 20 mijë vetë. Numri
i të plagosurve ka arritur në 2.285, sipas këtij bilanci. Më shumë se 88 000 shtëpi
e ndërtesa janë shkatërruar krejtësisht. Ky bilanc u shpall ditën e gjashtë pas tërmetit
më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë më parë dhe që rrezikon të rëndohet akoma.
Shefi i policisë së Miyagit u shpreh se numri i banorëve të vdekur në Ishinomaki
pas tërmetit katastrofik dhe cunamit shkatërrues mund të kalojë shifrën 10 000 vetëm
në këtë rajon ku ndodhet veçanërisht qyteti Sendai. Tashmë të traumatizuar nga
katastrofa natyrore së cilës iu shtua dhe kërcënimi për një aksident bërthamor në
centralin e Fukushimas, verilindja e Japonisë që dje u përfshi edhe nga reshje të
dendura dëbore.