Më 17 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Patrikun, ipeshkëv
(17.03.2011 RV)Bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi në
vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend
i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta.
Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendosur në Okserrë,
pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.
Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit.
Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund,
shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në
këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.
Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar
thellësisht traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve,
pas të cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama
të qyteteve të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët
pelagjianë. Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë
veprimtaria e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhri hyjnor, e urrejtja
e pelagjianëve kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin,
të cilit ai i bindej pa kushte. Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin
461 në Ulster e pikërisht në Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi
të shkëlqyer: një radhë të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht
me fenë e krishterë në rrjedhë shekujsh. Një rrëfim i shkurtër për Pajtorin
e Irlandës: Patriku sodit nga anija bregdetin irlandez, një vend që e njeh
mirë. Kur ishte 16 vjeç, djaloshi anglez qe kapur nga disa irlandezë, që e çuan në
tokën e tyre, ku jetoi si i burgosur për gjashtë vjet me radhë. Sot Patriku nuk
është më i burgosur: kthehet në këto troje të egra me dëshirën e vet. Një natë Jezusi
iu duk në ëndërr dhe i kërkoi të niset për t’ia kumtuar Ungjillin irlandezëve. E kështu
Patriku u bë prift e u nis me anijen e parë drejt e në Irlandë… E di se misioni
i tij nuk është aspak i lehtë. Irlandezët adhurojnë si hyjni të gjitha fenomenet e
natyrës: drurët, burimet, stinët... Zotin e gjejnë në natyrën e harlisur të ishullit
të blertë, rrethuar me kaltërsinë pa fund të ujërave. Patrikut i duhet të luftojë
kundër krerëve fetarë, druidëve, që të kallin frikë e tmerr: ata do të përdorin të
gjitha forcat e tyre magjike kundër tij, për të mos e lejuar ta përhapë Fjalën e Krishtit
ndërmjet irlandezëve. Po ç’mund të bëjë magjia e druidëve përballë një meshtari
të dërguar nga vetë Zoti? Patriku është plot besim e shpresë. U kundërvihet druidëve
pa frikë e u tregon qartë se magjia e tyre është e kotë. Natën e parë të Pashkëve
në Ishull, meshtari i krishterë ndez zjarre të mëdha në vendin ku ka ngulur banesën,
për të kremtuar kështu ngjalljen e Krishtit. Po kjo është e ndaluar. Dy hapa më tutje
kremtohet një festë për nder të hyjnive irlandeze e druidët, duke e parë në dritën
valëvitëse të flakëve, tërbohen. Por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar. Magjia
është e kotë. Njëri pas tjetrit fiset irlandeze kthehen në fenë e krishterë, sepse
krerët e tyre e shohin qartë epërsinë e Patrikut mbi druidët. Megjithatë Patriku ka
ende shumë për të bërë: ndonëse tashmë e kanë marrë Pagëzimin, këta luftëtarë mbeten
të egër. Nuk ngurrojnë fare t’i plaçkisin e t’i masakrojnë fiset armike! Kur bëjnë
beteja të tilla gjakatare, Patriku zemërohet, i dëbon nga Kisha vrasësit e u jep urdhër
të kërkojnë falje, në se duan të mbeten të krishterë. E vetmja rrugë për të fituar
respektin, është të mbash qëndrim të paepur përballë krerëve të fiseve. Por Patriku
di të jetë edhe i ëmbël e i duruar, posaçërisht kur jep mësime katekizmi. Është mësues
tejet i mirë. Gjen gjithnjë rrugë të reja, interesante, për ta shpjeguar fenë e krishterë.
Mësimi i tij është tepër tërheqës. Të lë me gojë hapur. Po marrim vetëm një shembull:
për të shpjeguar ç’është Trinia Shenjte, përdor tërfilin, që bleron në të katër anët
e ishullit. Trinia – shpjegon – është si tërfili. Tërfili ka tri fletë, por është
një bimë e vetme. Trinia përbëhet nga tri Vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt, por është
një Hyj i vetëm”. Kjo mënyrë për shpjegimin e themelit të fesë së krishterë u bë
aq e famshme, sa edhe sot tërfili mbetet simbol i Irlandës… e Patriku, Pajtori i saj.