2011-03-17 11:37:07

Imzot Mirdita: të rishikojmë mentalitetin që nuk paraqet modele e vlera të vërteta, në mbrojtje të shoqërinë sonë të sotme.


Në letrën e tij drejtuar klerit e besimtarëve të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, me rastin e kohës liturgjike të Krezhmëve në përgatitje të Pashkëve, imzot Rrok Mirdita ndalet te shoqëria e tashme shqiptare në dritën e vlerave ungjillore dhe analizon ato modele të reja që largohet nga vlerat e vërteta, e madje i kundërshtojnë ato. “Në një situatë të tillë, sipas imzot Mirditës, veset çmohen si virtyte, ndërsa virtytet konsiderohen si vese apo dobësi”, e kjo rrezikon shoqërinë e sotme, e cila duhet të mbështetët e të ndërtohet mbi vlera të patjetërsueshme njerëzore e shpirtërore, kulturore e shoqërore. E në këtë punë, nënvizon kryeipeshkvi Mirdita, krahas institucioneve shtetërore, janë edhe Kisha e besimtarët e krishterë me përgjegjësitë e detyrën e tyre, në njërën anë të angazhuar në kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të bukura e të vërteta, e në anën tjetër në demaskimin e hipokrizisë së shoqërisë bashkëkohore. “Shoqëria e sotme ka nevojë për modele të reja”, pohon imzot Mirdita e u drejtohet besimtarëve të krishterë e tërë shoqërisë: “Ne jemi të thirrur, dhe kemi përgjegjësi të madhe, që shoqëria të ketë si themel paqen, respektin, të vërtetën e vlerën, në kuptimin më të mirë të fjalës. Më tej duhet të jetojmë dhe përjetojmë atë dashuri që nuk ka kufi e që është aq e fortë saqë nuk hakmerret, po pajton, afron, ndërton, shëron marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kështu ne i qëndrojmë besnik tij Ungjilli që është vërtetë dritë që ndriçon errësirën e mosvlerave dhe shëron padrejtësitë.
Letra e kryeipeshkvit të Tiranë-Durrës dhe kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë ndalet në dy aspekte: këndvështrimin e shoqërisë së sotme dhe përgjegjësinë tonë.
Letrën e plotë të imzot Rrok Mirditës drejtuar kryedioqezës së tij me rastin e kohës së Krezhmëve mund ta gjeni e ta lexoni në faqen e internetit të Programit Shqip të Radio Vatikanit. E më këtë rast po ju përkujtojmë edhe një adresën tonë: www.radiovatican.org.

IMZOT RROK MIRDITA
ARQIPESHKËV METROPOLIT I TIRANË-DURRËS
TË GJITHË MESHTARËVE, RREGULLTARËVE, RREGULLTAREVE DHE BESIMTARËVE

Fort të dashur,
Jemi përsëri në prag të kohës së shenjtë të Kreshmëve. Me të vërtetë është një dhuratë e madhe, sepse është ftesë për të përjetuar dashurinë e Hyjit për njeriun e bjerrë. Ftesa e Jezusit, “Kthehuni dhe besojini Ungjillit”, që do ta dëgjojmë të Mërkurën e Përhime, qëndron edhe sot. Madje ka një domethënie shumë të rëndësishme për shoqërinë e sotme.
NJE KËNDVËSHTRIM I SHOQËRISË SË SOTME

Kohët ndryshojnë dhe bashkë me to ndryshojmë edhe ne. Nuk mund të mendojmë vetëm për të kaluarën, sepse kjo do të na mbyllte në një nostalgji të pafrytshme. Nuk mund të mendojmë vetëm për të ardhmen, sepse kjo do të na projektonte drejt një utopie ëndërrimtare. As të mendojmë vetëm për të tashmen, sepse kjo do të na mbyllte në një vetëkënaqësi me atë që jemi dhe kemi.

Kisha është e lidhur me të kaluarën, sepse është themeluar mbi një ngjarje historike, që është ardhja, vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit. Kisha gjithashtu shikon drejt së ardhmes, sepse është gjithmonë duke pritur ardhjen e Mbretërisë së Zotit. Por Kisha domosdoshmërisht duhet të vështrojë me kujdes të tashmen. Ky vështrim shpesh herë shkakton shumë dhimbje, kur shohim se si shoqëria, me anë të mjeteve të komunikimit, paraqet modele të reja që jo vetëm nuk përfaqësojnë vlerat ungjillore, por janë në kundërshtim me këto vlera. Në një situatë të tillë, veset çmohen si virtyte, ndërsa virtytet konsiderohen si vese apo dobësi. Kështu rrezikohet që ai që nuk vjedh nga një fabrikë ose nga një departament shtetëror të quhet “skrupuloz”, ai që ushtron me entuziazëm fenë e tij të quhet “fanatik religjoz”, ai që nuk hakmerret nga armiku të quhet “frikacak”, ai që nuk përdor një fjalor të ashpër e nganjëherë edhe banal, të quhet “i ngushtë”.
Pikërisht ky mentalitet vë në rrezik shoqërinë e sotme. Flasim shumë për solidaritet, drejtësi, paqe, vëllazëri, e shumë vlera të tjera. Por këtu vërejmë hipokrizinë e shoqërisë bashkëkohore, sepse ndërsa flasim për këto vlera të bukura - dhe që janë thelbësisht të krishtera – përjetojmë një situatë krejt në kundërshtim me po këto vlera.

PËRGJEGJËSIA JONË

Papa Pali VI, në kohën e tij, ka shtruar pyetjen: “Për çfarë ka më shumë nevojë Kisha sot?” Dhe ai vetë është përgjigjur: “Sot Kisha ka nevojë për besimtarë të fortë”: Besoj se sot, gati dyzet vjet pasi Papa Pali VI ka bërë këtë pohim, duhet të pranojmë se kemi edhe më shumë nevojë për besimtarë të tillë, të bindur në besimin e tyre, të fortë në dëshminë e tyre.

Para tre muajsh kemi përkujtuar mbylljen e procesit dioqezan për çështjen e martirëve shqiptarë, që shpresojmë s’do të vonohemi ti shohim të shpallur “të lumtur”. Kemi fat se kemi dëshminë e shumë besimtarëve që kanë njomur atdheun me gjakun e tyre, sepse deshën të qëndrojnë besnik deri në fund ndaj besimit të tyre, pa bërë asnjë kompromis me një regjim ateist.

Po ne, si të krishterë, çfarë dëshmie po japim në Evropë që dalëngadalë po i kthen shpinën Krishtit dhe Ungjillit të tij, po u kthen shpinën vlerave që e kanë stolisur me një kulturë e që i dhanë një identitet? Me shumë arsye Papa Gjon Pali II thoshte: “Nuk duhet të harrojmë kontributin e madh që krishterimi i ka dhënë kulturës dhe instituteve evropiane: dinjitetin njerëzor, lirinë, shkolla dhe universitete, shërbime shoqërore...”

Shoqëria e sotme ka nevojë për modele të reja. Ne jemi të thirrur, dhe kemi përgjegjësi të madhe, që të bëhemi këto modele në shoqëri, duke u angazhuar për atë që është themeli i paqes, duke përjetuar atë dashuri që nuk ka kufi dhe që është aq e fortë saqë nuk hakmerret, duke qëndruar besnik ndaj ungjillit që të jemi me të vërtetë dritë që ndriçon errësirën. Jemi trashëgimtarët e besimit që ka nisur në botë një revolucion të veçantë, sepse arma e vetme e këtij revolucioni ishte arma e dashurisë. Kush ka folur më mirë se Jezusi për dashurinë? Ai ka thënë: “Çka do bëtë për njërin nga këta vëllezër të mi të vegjël, e bëtë për mua” (Mt. 25,40). Kush ka folur më qartë për barazinë mes të gjithë njerëzve se Shën Pali Që thoshte: “ Nuk ka më: hebre apo grek! Nuk ka më: skllav ose i lirë! Nuk ka më: mashkull ose femër! Të gjithë ju jeni Një në Krishtin Jezus!” (Gal 3,28).

Të dashur vëllezër dhe motra, le të dëftojmë njohjen tonë ndaj Zotit që na ka rilindur në sajë të pagëzimit. Koha e kreshmëve na detyron ti ripërtërijmë hirin e pagëzimit, që do të thotë një “jo” mëkatit dhe një ”po” dashurisë së Zotit. Pa asnjë kompromis me asnjë lloj padrejtësie, hakmarrjeje, korrupsioni, le të tregohemi si trashëgimtarë të vërtetë të Ungjillit që na bën apostuj të vlerave që mund të shndërrojnë shoqërinë në një familje ku sundon dashuria, drejtësia, paqja, solidariteti.
Ju kujtojmë detyrën tonë të mbajmë agjërim të Mërkurën e Përhime e më pas të Premten e Madhe. Janë të detyruar të agjërojnë në këto dy ditë të gjithë ata që kanë mbushur moshën 18 vjeç deri në 60 vjeç. Mos ngrënia e mishit është e detyrueshme për të gjitha të premtet e kreshmëve për të gjithë ata që kanë mbushur 14 vjeç.
Duke ju uruar çdo të mirë shpirtërore gjatë kësaj periudhe të shenjë, ju përcjell bekimin baritor.

Dhënë nga Kuria Arqipeshkvnore, më 2 mars 2011.

+Rrok Mirdita
Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës







All the contents on this site are copyrighted ©.