2011-03-15 14:14:57

Papa Vojtila në Facebook, në sajë të Radio Vatikanit dhe Qendrës Televizive të Vatikanit. Atë Lombardi: mesazhi ynë pozitiv përmes social network.


Një faqe e re vatikanase në Facebook e Youtube kushtuar Gjon Palit II me rastin e Lumnimit të afërt. U hap, me nismën e përbashkët të Radio Vatikanit dhe të QTV-së, bashkërenduar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore. Qëllimi, shpjegohet në një notë, është të shoqërohet çdo hap drejt Lumnimit, duke përdorur mjetet, që vë në dispozicion teknologjia e duke vlerësuar pasurinë e çmuar dokumentare të Radios sonë e të Qendrës Televizive të Vatikanit:

Karol Vojtila arrin në Facebook, falë Radio Vatikanit dhe Qendrës Televizive Vatikanase: në social network u hap faqja kushtuar Gjon Palit II, në sa afrohet 1 maji, dita e lumnimit. Adresa: (). Në këtë faqe do të inserohen njëherësh të gjitha videoklipet mbi papninë, ndjekur vit për vit, e me zërin e të Lumit të ardhshëm, në gjuhë të ndryshme e në situata të ndryshme (). Zërat, njofton një komunikatë, janë zgjedhur nga Programet gjuhësore të Radio-Vatikanit, me të cilat Qendra Televizive e Vatikanit realizoi një video. Papa do të flasë në gjuhën origjinale, në të cilën e shqiptoi dokumentin, ndërsa në sfond, në gjuhën angleze, tregohet vendi e data e ngjarjes. Njëkohësisht kanali tradicional i Vatikanit Youtube do të ushqehet nga videoklipet e aktualitetit e të informacionit për ditët e lumnimit. Qëllimi – nënvizon nota – është të përdoren të gjitha mjetet për ta vënë sa më shumë në dukje këtë nismë, e cila, ndryshe nga të rejat, me nisma private, mban nënshkrimin e përbashkët të Radio Vatikanit dhe të QTV-së. Nisma, natyrisht, është e hapur për të gjithë përdoruesit e Facebook.
Për një koment mbi domethënien e kësaj nisme, të dëgjojmë atë Federiko Lombardin, drejtor i R.V. e QTV:

Përgjigje: - E dimë sa njerëz emocionohen me afrimin e Lumnimit të Gjon Palit II, sa të rinjtë, që e njohën në Ditët Botërore të Rinisë, e kështu me radhë… E atëherë menduam të gjejmë një rrugë tjetër, përveç atyre që kemi në përdorim, që t’u krijojmë të gjithë personave të interesuar mundësinë për t’u lidhur me figurën e Gjon Palit II edhe përmes figurave e fjalëve, që janë bërë të dashura për të gjithë gjatë papnisë së tij. Ja pra, ky është qëllimi i hapjes së një faqeje të re të posaçme për Gjon Palin II, si në Youtube, ashtu, këtë radhë, edhe në Facebook.

Pyetje: - Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit: një nismë e bashkërenduar me Këshillin Papnor të Komunikimeve Shoqërore, që flet për një bashkëpunim vërtet të fortë…

Përgjigje: - Sigurisht. Ne punojmë të gjithë për të njëjtin synim, e kështu bashkërendojmë burimet tona, nismat tona, në shërbim të një qëllimi të përbashkët. Jemi të kënaqur në se me këtë nismë do të bashkohen të gjithë ata që, edhe nga kanalet e tjera, nga faqet e tjera personale të Facebook, dëshirojnë të lidhen, për të ndarë bashkërisht këtë pasuri figurash e tingujsh.

Pyetje: - Në këtë mënyrë Gjon Pali II nis t’u flasë përsëri, përmes social network, të rinjve të tij, të cilët ai vetë i pati quajtur “Shpresa ime”…
Përgjigje: - Natyrisht. Kjo është një rrugë më shumë. Besoj se në kujtesën e të rinjve ai mbeti gjithnjë më se i gjallë, nuk u zhduk kurrë. E pastaj, ne besojmë në praninë e tij të frytshme shpirtërore, në praninë e tij të gjallë. Por edhe social network u përgjigjen mesazheve të Atit të Shenjtë të viteve të fundit, që i ftojnë të gjithë për një përdorim sa më pozitiv të teknologjive të reja e që na kujtojnë se ky është një rast i madh, se duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë, pikërisht që ta bëjmë këtë prani sa më të lehtë për t’u kapur, përmes figurës e tingullit.







All the contents on this site are copyrighted ©.