Më 15 mars kalendari kishtar përkujton Shën Luizën de Marillac, vejushë e rregulltare
(15.03.2011 RV)Luiza (Ludovika) lindi më 1591 në Ferrieres e pat një fëmijëri të trazuar.
Pas vitit 1604 mbeti jetime nga i ati, largohet nga kolegji mbretëror dhe i besohet
një “zonjushe të varfër”, që ka shumë mundësi të ketë qenë e ëma e saj, e cila e detyroi
menjëherë të punonte. U rrit duke punuar rëndë e duke gjetur të vetmin ngushëllim
në Kishë. I lindi kështu dëshira të bëhej rregulltare. Po familjarët, në kundërshtim
me dëshirën e saj, në vitin 1613 e martuan me stallierin e sekretarin e Maria de’
Mediçi, Antonio le Gras. Bisedat e vazhdueshme me Françeskun e Sales, të cilin e takoi
për herë të parë në Paris në vitin 1618, e ndihmuan Luizën ta duronte vuajtjen e rëndë
shpirtërore. Më pas, në vitin 1624, falë takimit me Vinçencin de’ Paoli, u bë
bashkëthemeluese e Institutit të Bijave të Dashurisë. Pak më vonë, në vitin 1625,
pas vdekjes së të shoqit dhe hyrjes në seminar të të birit, Mikelit, nisi të strehonte
në shtëpinë e vet vajzat e para që dëshironin të viheshin në shërbim të të varfërve,
në bashkëpunim me Zonjat e dashurisë. Ishte bërthama e parë e Kongregatës së re, të
cilën Shën Luiza e udhëhoqi deri sa vdiq, më 15 mars 1660.