2011-03-15 14:13:10

Muzetë e Vatikanit: vizita didaktike edhe për ata me aftësi të kufizuara fizike.


Të njohësh artin në mënyrë aktive e krijuese, duke i kapërcyer pengesat, që krijohen nga aftësitë e kufizuara fizike. Ky është synimi i vizitave të reja didaktike në Muzetë e Vatikanit, paraqitur dje në Romë. Posaçërisht novatore, nisma që do t’u krijojë të verbërve mundësinë të shijojnë disa vepra arti, përmes shqisave të tjera dhe laboratoreve didaktike, me karakter shkollor. Maria Serlupi Kreshenci, drejtuese e veprimtarive didaktike të Muzeve, shprehet kështu, në mikrofonin tonë, për këtë nismë:
"Shkolla është mjedisi kryesor për formimin e qytetarit. Pierr Burdië thoshte, me të drejtë, se njeriu i rritur nuk do të hyjë kurrë në një muze, në se nuk e ka bërë këtë së paku një herë, kur ishte ende i mitur. Prandaj hapi i parë është forcimi i lidhjes me shkollën, për të krijuar projekte didaktike të afërme me programet, që zhvillohen në klasë. Kështu i shtuam vizitës së udhëhequr, asaj “frontale”, që i ka kaluar disi koha, mundësinë e pasurimit me një sërë veprimtarish krijuese, që e ngulisin më mirë në kujtesë vizitën në muze. Nuk kemi të bëjmë më vetëm me nxënësin që dëgjon mësuesin, por me nxënësin, që merr pjesë gjallërisht në vizitë, për të shijuar me të gjitha shqisat e mundshme, kryeveprat e artit".







All the contents on this site are copyrighted ©.