2011-03-15 15:04:29

Dita e tretë e ushtrimeve shpirtërore në Vatikan frymëzuar nga shën Luigji Monfort e shën Tereza Lisië.


Vazhdojnë ushtrimet shpirtërore në Vatikan për Papën Benediktin e XVI e Kurien Romake. Meditimet e ushtrimeve shpirtërore drejtohen atë Fransua-Mari Léthel, rregulltar francez i Urdhrit të Karmelitanëve, profesor pranë Fakultetit teologjik Papnor Terezianum në Romë. Tema e përgjithshme sivjet është: “Drita e Krishtit në zemër të Kishës – Gjon Pali II dhe teologjia e shenjtorëve”. Ndërsa tema e sotme e ditès tretë e predikimeve të këtyre ushtrimeve shpirtërore u përqendrua te spiritualiteti marian i shën Luigjit Maria Monfort dhe spirtualiteti kristocentrik i Shën Terezës së Lisië.
Reflektimi i parë i sotëm i rregulltarit karmelitan u mbajt mbi doktrinën e shën Luigjit Maria Monfort, përmbajtur në Traktatin e Përshpirtërisë së vërtetë të Virgjërës së Shenjtë, që përmbledh Sekretin e Marisë.
Reflektimi i dytë iu kushtua veprës së njohur “Historia e një shpirti” e shkrimeve tjera të Shën Terezës së Lisiës, Pajtores së Misioneve, shpallur nga Gjon Pali II Doktore e Kishës si “ eksperte e shkencës së dashurisë”.
Meditimi i tretë u ndërlidhë me temën e lartpërmendur “Kristocentrizmi i Terezës: në Emër të Jezusit dhe të Dashurisë së Jezusit përqafohen të gjitha Misteret e Zotit e të Njeriut”.
Ushtrimet shpirtërore filluan të dielën pas dite në orën 18. 00, zhvillohen në kapelën “Nëna e Shëlbuesit” në Pallatit Apostolik në Vatikan, e do të përfundojnë këtë të shtune më 19 mars me kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore në festën e shën Jozefit.
Po kujtojmë e njoftojmë dëgjuesit tanë dhe të gjithë shtegtarët e besimtarët se gjatë tërë javës në Vatikan ndërpriten të gjitha audiencat papnore, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës, atë të nesërme më 16 mars. Pra nesër nuk do të mbahet takimi javor i Papës me shtegtarët e besimtarët që vijnë në Vatikan për këtë qëllim.







All the contents on this site are copyrighted ©.