2011-03-14 14:10:55

Papa në Engjëllin e Tënzot: të luftojmë kundër mëkatit e ta shpëtojmë mëkatarin.


(14.03.2011 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar të Dielën e parë të Kreshmëve, Papa i ftoi besimtarët të kërkojnë lirinë e mirëfilltë, duke zbuluar kuptimin e mëkatit, burim i të gjitha të këqijave. Lufta e vërtetë është ajo që i kundërvihet shpirtit të së keqes: prandaj, duhet kundërshtuar mëkati, për ta shpëtuar mëkatarin.
Kisha i kremton Kreshmët si shtegtim shpirtëror, që të përgatit për Pashkët. Është shtegtim – pohoi Ati i Shenjtë – në gjurmët e Krishtit, i cili ecën vendosmërisht drejt kryqit, kulm i misionit të tij të shëlbimit:
“Në se pyesim: pse duhen Kreshmët? Pse kryqi? përgjigjja me terma rrënjësore është: sepse ekziston e keqja, madje, mëkati i cili, sipas Shkrimeve të Shenjta, është shkaku kryesor i çdo së keqeje”.
Por ky pohim – vijoi Papa – nuk është i lehtë për t’u përvetësuar, e vetë fjalën mëkat shumëkush nuk e pranon fare, sepse e shikon si pjesë përbërëse të vizionit fetar mbi botën e mbi njeriun:
“Në fakt, është e vërtetë: në se zhduket Zoti nga horizonti i botës, nuk mund të flitet më as për mëkatin. Ashtu si kur fshihet dielli, zhduken edhe hijet; hija duket vetëm kur ndriçon dielli; kështu eklipsi i Zotit nuk mund të mos ketë si pasojë edhe eklispin e mëkatit. Prandaj kuptimi i mëkatit – që ndryshon nga kuptimi i fajit, ashtu si e shpjegon psikologjia – rifitohet vetëm duke rizbuluar kuptimin e Zotit”.
Përballë së keqes morale – shpjegoi Benedikti XVI – Zoti i kundërvihet mëkatit, për të shpëtuar mëkatarin:
“Zoti nuk e lejon të keqen, sepse është Dashuri, Drejtësi, Besnikëri; e pikërisht për këtë arsye, nuk e dëshiron vdekjen e mëkatarit. Përkundrazi: dëshiron që ai të pendohet e të jetojë. Për të shpëtuar njerëzimin, Zoti ndërhyn: e shikojmë në gjithë historinë e popullit hebraik, duke nisur që nga dalja prej Egjiptit, nga çlirimi prej skllavërisë. Zoti është i vendosur t’i çlirojë bijtë e vet nga robëria e t’u prijë drejt lirisë. E skllavëria më e keqe e më e tronditëse është ajo e mëkatit”.
Për këtë e dërgoi Birin e vet në botë, për t’i çliruar njerëzit nga sundimi i Shejtanit, që është zanafilla dhe shkaku i çdo mëkati. Na e dërgoi në trupin tonë të vdekshëm – nënvizoi Papa – që të flijohej, të bëhej theror, duke vdekur për ne mbi kryq:
“Këtij plani shëlbimi përfundimtar e universal, Djalli iu kundërvu me të gjitha forcat, siç e dëshmon, në mënyrë të posaçme, Ungjilli i tundimeve të Jezusit në shkretëtirë, që shpallet çdo vit të Dielën e parë të Kreshmëve. E kjo, sepse të hysh në këtë Kohë liturgjike, do të thotë të radhitesh përkrah Krishtit, kundër mëkatit; të përballosh – si individ e si Kishë – betejën shpirtërore kundër frymës të së keqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.