Më 14 mars përkujtojmë 131 vjetorin e lindjes së prof. Aleksandër Xhuvanit.
(14.03.2011 RV)Aleksandër Xhuvani lindi në Elbasan më 14 mars 1880 në një familje
të njohur për kontributin kombëtar e kulturor. Mësimet e para i kreu në vendlindje,
të mesmet, në Çatillë të Maqedonisë. Më pas studioi filologji në Athinë, ku edhe u
diplomua. Është një nga pionierët e arsimit dhe të gjuhësisë shqiptare. Veprimtarinë
e nisi si mësues në Kolegjin Arbëresh të Shën Dhimitër Koronës, për t'u kthyer më
pas në Shqipëri, ku filloi të jepte mësim në Normalen e Elbasanit. Qe anëtar i Komisisë
Letrare të Shkodrës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, anëtar i Institutit
për Studime Shqiptare, dekan i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Institutit
të Studimeve, anëtar i redaksisë së Buletinit të Shkencave Shoqërore. Në kulmin e
veprimtarisë si gjuhëtar e pedagog, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dha titullin
Profesor Doktor honoris causa. Që nga viti 1905, kur botoi artikullin e parë në
revistën "Albania" të Faik Konicës e deri në fund të jetës, vijoi shkrimet publicistike,
gjuhësore, pedagogjike dhe letrare. Për një farë kohe drejtoi organin e Elbasanit
"Kopshti letrar"; më pas botoi shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve '30.
La një trashëgim të çmuar veprash gjuhësore, pedagogjike, teoriko-letrare. Po kujtojmë
disa prej tyre: "Libri i gjuhës shqipe" 1924; "Njohuritë e para të sintaksës shqipe"
1925; "Fillimet e pedagogjisë didaktike" 1926; "Pestaloci" 1927; "Fillime të stilistikës
dhe të letërsisë së përgjithshme (me Kostaq Cipon) 1930; "Fillimet e psikologjisë
1933 etj. Me studimin e jetës së tij janë marrë Bardhyl Graceni në monografinë
"Aleksandër Xhuvani: jeta, vepra" Tiranë 1980 dhe Hajrullah Koliqi në monografinë
"Aleksandër Xhuvani". Po të krahasojmë shkrimet e para, që na zbulojnë bindjet
e tij të formuara, e shkrimet më të vona, do të vërejmë menjëherë se edhe ai, pavarësisht
nga rrethanat, që e shpëtuan nga prangat dhe i krijuan kushte të favorshme pune, duhet
ta ketë ndjerë thellë në shpirt peshën e tmerrshme të diktaturës, që për njerëz si
ai donte të thoshte vdekje e mendimit të lirë e e krijimtarisë së lirë. Këtë e dëshmon
fakti se miqtë më të mirë i pat në radhët e intelektualëve me formin perëndimor, ndërmjet
të cilëve, me gjuhëtarin e madh të panjohur, Atë Viktor Volajn, asokohe Rektor i Kishës
françeskane në Tiranë, me të cilin takohej rregullisht për të diskutuar mbi probleme
gjuhësore e letrare, ndonëse asokohe takimet me një frat mund të konsideroheshin veprimtari
armiqësore. Falë Profesor Xhuvanit, Atë Viktori vijoi, fshehurazi e pa emër, bashkëpunimin
me Akademinë e Shkencave duke dhënë një kontribut të madh për Fjalorin e shqipes. Mjafton
të kujtojmë këtu fjalimin që Xhuvanit mbajti mbi varr të Atë Gjergj Fishtës, për
të treguar qartë vlerësimin e e tij të thellë për kontributin e klerit katolik e personalisht
të Kangëtarit të Lahutës: “Si vetimë u përhap an' e kand të Shqipnisë lajmi i hidhët
i vdekjes së poetit t'onë Kombëtar, At Gjergj Fishtës dhe e mahniten mbeti sot mbarë
bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh të autorit të "Lahutës së Malcisë" që ka këndue,
si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit tonë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si
dikur Tirteu, i vjetërsisë. E me të drejtë i kan thënë Fishtës "Tirteu i Shqipnisë,
se sikurse ai me elegjitë e tij ndezi zemrat e Spartanëve për luftë, njashtu dhe epopeja
e "Lahutës", odet dhe elegjitë e "Mrizit të Zanave" e të poezive të tjera kanë mbledhë
në zemër të djelmnisë sonë dashuninë e pamasë për truellin e të parëve dhe për gjuhën
amtare. Këto dy ideale: Atdhedashunia dhe rujetja e gjuhës si dritë e synit, lavrimi
dhe përdorimi e saj kanë qenë polet rreth së cilave shtrihej vepra e çmueshme e Fishtës.
E s'ka kush tjetër veçse ne arsimtarëve që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi
mësue nxënësve poezitë e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të tij, e cila sot
si një far i madh dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë sonë, si një Ungjill
shkëndimadh morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj". Prof. Aleksandër Xhuvani vdiq
më 2 nëntor 1961.