Japoni: viktimat janë me dhjetëra mijëra, rritet rreziku i fatkeqësisë bërthamore
Rëndohet çdo orë bilanci i tërmetit dhe i stunamit që goditën të premten Japoninë.
Viktimat janë me dhjetëra mijëra e numri i të zhdukurve është tejet i madh e nuk dihet
saktësisht. Sipas disa të dhënave, numri i viktimave mund të arrijë deri në 50 mijë
vetë. Vetëm sot në prefekturën Miyagi janë gjetur afër dymijë njerëz pa jetë në brigjet
verilindore të vendit. Kështu njoftoi agjencia e shtypit japoneze Kyodo, duke saktësuar
se afër 1 mijë kufoma janë gjetur në brigjet e gadishullit Ojika, të tjera në qytetin
Minamisanriku, ku rezultojnë të humbur 10 mijë banorë. Funksionarë të qeverisë së
Tokios kanë njoftuar sot për një bilanc sipas të cilit deri tani numërohen 5 mijë
te vdekur, po numri i tyre mund të rritet mbi 10 mijë.
Ndërkohë regjistrohen
dridhje të reja të tokës, si ajo e natës së kaluar kur toka u dridh nga tërmeti me
magnitudë 6.2 të shkallës Rihter, që lëkundi rrokaqiejt e Tokios dhe shkaktoi frikën
e një stunami të ri, por për fat të mirë nuk ndodhi.
Tani alarmi vjen nga
centralët bërthamore të Fukushimës, ku thuhet se ka edhe të plagosur. Një shpërthim
i dytë ka goditur impiantin bërthamor, e sipas zyrtarëve 6 vetë janë plagosur, por
bërthama e kontejnerit nuk ishte dëmtuar nga shpërthimi që ndodhi këtë mëngjes. Rritet
frika nga fatkeqësia e mundshme bërthamore. E lidhur me këtë agjencia Japonese për
Sigurinë Bërthamore deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që në Japoni të përsëritej një
aksident bërthamor si ai i Çernobilit. Sistemet e ftohjes në tre nga gjashtë reaktorët
në Fukushima u ndërprenë sot pas dy shpërthimeve.
Agjencia meteorologjike
japoneze paralajmëroi sot për një rrezik të madh pas lëkundje tërmeti me fuqi 6.9
- 7 ose më tepër ballë deri të mërkurën, duke i vlerësuar ato si 70 për qind të mundshme. Magnituda
e tërmetit që goditi Japoninë është studiuar për së dyti dhe është arritur në përfundimin
se ajo ishte 9 ballë. Këtë bëri të ditur sot Agjencia Meteorologjike Japoneze, duke
theksuar se ky është ndër tërmetet më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë. Pas tërmetit
Japonia ndodhet përpara një katastrofe të rëndë bërthamore. Pra situata vazhdon
të jetë e rëndë, e po punohet me të gjitha forcat për ti bërë ballë pasojave të rënda
të kësaj katastrofe. Mungon uji i pijshëm, ushqimi e vendstrehimi ata njerëzit që
kanë mbijetuar, cilët kanë humbur gjithçka kanë pasur.