2011-03-14 16:07:08

Dita e dytë e ushtrimeve shpirtërore në Vatikan: atë Léthel mediton për dëshmitë e shenjtorëve, si shkëndija të Krishtit në botë.


(14.03.2011 RV)Filluan, dje pasdite, e do të vijojnë deri të shtunën e ardhshme, ushtrimet shpirtërore në Vatikan, në praninë e Papës e të Kuries Romake, me rastin e Kreshmëve. Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI i ftoi gjithë besimtarët të luten për të e për bashkëpunëtorët e tij. Meditimeve i prin atë Fransua-Mari Léthel, rregulltar francez i Urdhërit të Karmelitanëve të zbathur, profesor pranë Fakultetit teologjik Terezianum. Meditohet mbi temën: “Drita e Krishtit në zemër të Kishës – Gjon Pali II dhe teologjia e shenjtorëve”.
Ushtrimet nisën dje, në orën 18. 00, në kapelën e “Nënës së Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik, me kremtimin e Lutjeve mbrëmësore. Gjatë tërë javës do të ndërpriten të gjitha audiencat papnore, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 16 mars. Ftuam në mikrofonin tonë atë Léthel, që na flet për përgatitjen dhe përmbajtjen e ushtrimeve:

Përgjigje: - U zhyta në lutje, pastaj pranova t’u prij meditimeve. Ngjarja e madhe, që më frymëzoi, është Lumnimi i Gjon Palit II, prandaj mendova t’i shikoj këto ushtrime edhe si përgatitje shpirtërore për Lumnimin e Papës Vojtila. Për mua, ky është mision, është thirrje, që vjen nga Zoti. E ndjej veten tepër të vogël, përballë kësaj thirrjeje, por ia besoj edhe këtë çast Krishtit e Zojës së Bekuar.

Pyetje: - Pse zgjodhët temën “Drita e Krishtit në zemër të Kishës, Gjon Pali II edhe teologjia e shenjtorëve”?

Përgjigje: - Prej shumë vjetësh studioj shenjtorët. Tema e shenjtërisë ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes në kërkimet e mia shkencore – teologjike. Shenjtorët janë dëshmitarë të mëdhenj të shenjtërisë së Kishës e, përmes dëshmisë së tyre, përvojës së tyre, shkëlqen mbi botë vetë drita e Krishtit. Gjon Pali II është papa i shenjtërisë e lumnimi i tij është njohje zyrtare e kësaj shenjtërie. Është Papa, që shpalli më shumë Shenjtorë e të Lumë. Është Papa, i cili jo vetëm na i paraqiti shenjtorët si shembull përsosurie të krishterë, por edhe si teologë, në kuptimin më të lartë të kësaj fjale, sepse, njohësit më të mëdhenj të vetë Zotit. I paraqiti si njerëz, që mbartin dritën e Krishtit, me të cilën ndriçojnë botën, edhe botën e sotme.

Pyetje: - Si do të zhvillohen ushtrimet?

Përgjigje: - Shtypshkronja e Vatikanit ka përgatitur, për pjesëmarrësit, një libret shumë të bukur. Në kapak riprodhohet një pikture e të Lumit Angjeliko, që paraqet vallen e Shenjtorëve. Shenjtorët e qiellit, të vendosur në formë rrethi, janë të zënë dorë-për-dore. Kjo është ikona e këtyre ushtrimeve shpirtërore. E kjo të kujton edhe Gjon Palin II: është ai, që i prin aradhes, duke shtrënguar duart e dy shenjtorëve, me të cilët ishte i lidhur fort: dorën e Shën Luigji Maria Grinjon dë Monfor, që i frymëzoi moton e papnisë “Totus Tuus”, e dorën e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, të cilën e shpalli “Dijetare” të Kishës, si specialiste në shkencën e dashurisë. Shën Tereza shtrëngon duart e dy Doktorëve të shkencës së fesë: Anselmit e Tomës, që Gjon Pali II i citoi në “Fides et Ratio” – “Feja e Arsyeja”. Shpreha dëshirën që, në këtë valle shenjtërie, të ziheshin dorë-për-dore edhe dy shenjtore të fundit të Mesjetës: Shën Katerina e Sienës e Shën Zhanë D’Ark, të cilat jetuan disa çaste vërtetë dramatike për botën e për Kishën. Ishte një botë me shumë probleme, ajo e kohës së tyre, e një Kishë me shumë plagë. Janë edhe dy laike: mistikja e madhe, Armida de Kabrera dhe e Lumja Kjara Luçer Badano, vdekur në vitin 1990, e lumja e parë e lëvizjes së Fokolarëve. Përfundojmë me festën e Shën Jozefit, më 19 mars. Meditimi i fundit i kushtohet pikërisht Shën Jozefit, pajtorit të Pagëzimit të Papës. Vallja e shenjtërisë dhe e shenjtorëve përfundon me të. Ka për qëllim të na përgatisë të gjithëve për Lumnimin e Gjon Palit II, duke na kujtuar se të gjithë jemi të thirrur për t’u zënë dorë-për-dore me shenjtorët, në lutje, në jetën e krishterë, në dashurinë për të tjerët, në pajtim e në falje.







All the contents on this site are copyrighted ©.