2011-03-14 16:06:46

Alarm i Fao-s për sigurimin e ushqimit në Libi


(14.03.2011 RV)Kriza në Libi krijon rreziqe të mëdha përsa i përket sigurimit të ushqimit në vend e në të gjithë zonën. Është kushtrim i Fao-s që, përmes një komunikate, nënvizon se situata aktuale mund të çojë në shembjen e tregut ushqimor e të vetë sistemit të brendshëm të shpërndarjes së prodhimeve ushqimore, për shkak të vartësisë së thellë të zonës nga importimi i drithërave. Shterimi i rezervave ushqimore dhe heqja dorë nga puna bujqësore, janë faktorët kryesorë, që krijojnë rrezikun serioz të urisë në vend e në mbarë zonën. Këtë pohon Daniel Donati, kryetar i shërbimit të veprimtarisë së emergjencës së Fao-s. E për ta kapërcyer këtë emergjencë, Fao ka në program të shpërndajë farna zarzavatesh në fshatrat rreth qyteteve dhe në zonat bregdetare, në mënyrë që të rritet sasia e ushqimeve të freskëta dhe të sigurohen lëndët ushqimore themelore për organizmin e njeriut. Agjensia e OKB-së kërkon mbështetje për mbikqyrjen e sëmundjeve të kafshëve e të pasurisë zooteknike në vend. Të dhënat, që vijnë nga Libia për sigurimin ushqimor, janë fragmentare e të pakonfirmuara – lexohet në komunikatë. Prandaj Fao mendon se duhet një monitorim i vëmendshëm mbi gjendjen e rezervave ushqimore dhe mbi çmimin ndërkombëtar të grurit. Duke pasur parasysh vartësinë nga importimet, rritja e mundshme e çmimeve në tregun ndërkombëtar do të kishte pasoja shkatrrimtare mbi shtresat më të varfëra të popullsisë. Do të krijonte kështu rrezikun e vdekjes nga uria, në një vend ku lufta shkakton çdo ditë qindra viktima.







All the contents on this site are copyrighted ©.