2011-03-12 10:15:05

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1-të të Kreshmëve “A”


Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së parë të kohës kishtare të Kreshmëve.
Qëllimi i vitit kishtar është të takohemi me Zotin. Koha e Kreshmëve është periudhë që më së miri e shpreh këtë dhe e bënë të dukshme, na ndihmon të përgatitemi e ta jetojmë takimin tonë me Zotërinë Jezus. Udha shpirtërore e Kreshmëve është dhuratë e hirit të Zotit që na prinë drejt Pashkëve. Nëse të gjithë jemi kurdoherë të bashkuar me Krishtin në sprova, në çaste të vështira e ato të mira, me Të edhe do të shndritemi e shndërrohemi për të jetuar përjetësisht në dhe më Zotin.
Jeta jonë njerëzore është një luftim i vazhdueshëm kundër të keqin e së keqes. Kështu, në këtë periudhë shpirtërore kishtare që paraprinë e na përgatit për kremtimin e Pashkëve, jemi të thirrur ta lartojmë vështrimin tonë drejt horizontit të ri, mbinjerëzor, pra drejt hyjnore. Zakonisht shikimi ynë drejtohen e përqendrohet ndaj sendeve që na rrethojnë, ndaj personave që na pranojnë e mirëpresin, ndaj çdo gjëje që e përbënë universin në të cilin lëviz e rritet jeta jonë.
Shumëkush qëndron e mbetët i rrënjosur mbi këtë përmasë, mbi gjërat e përditshme, duke kërkuar një jetë sa më të mirë, sa më komode për të jetuar. Po ka edhe njerëz që nuk mjaftohen për përmasën njerëzore e materiale, e për këtë kërkojnë diçka tjetër, në zemër ndjejnë një fuqi të mbinatyrshme, atë hyjnore. Këta lënë gjithçka tjetër për të kërkuar e gjetur thesarin e çmueshëm, burimin e jetës, Krishtin Zot.
E kreshmët na ofrojnë pikërisht këtë mundësi: kërkimin dhe realizimin e takimit tonë me Jezu Krishtin Shpëtimtar, e këtë në jetën e përditshme, e këtë me njerëz që kemi afër, me ata që takohemi çdo ditë. Fjala e Zotit nuk na fton të mënjanojmë realitetin tonë njerëzor e tokësor, por të sodisim Atë, Jezusin, që na tregon shtegun e Amshimit, që na ofron udhën, të vërtetën dhe jetën.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së Parë të Kreshmëve, na paraqet tre protagonistët e jetës që jetojnë në ne dhe me ne, me të cilët ballafaqohemi çdo ditë për të arritur pastaj në përfundime të dobishme:
Kemi Adamin, do të thotë njeriun që deshi të jetonte e të vepronte pa Zotin e pa Fjalën e Tij hyjnore:
Kemi Jezusin, do të thotë njeriun që deshi të jetonte diku iu bindur deri në fund, deri në vdekje Zotit, përkundra të gjitha vështirësive që hasi e përjetoi.
Kemi Djallin, tunduesin, realitetin e tanishëm e përherë të pranishëm dhe aktiv në historinë e botës e të çdo njeriu, të çdo njërit prej nesh.
Kjo prani djallëzore është e aq e fortë e aq thellë e rrënjosur sa që Ati Qiellor e dërgon tek, në kohë e në histori, të Birin e Tij Njëlindurin, Jezu Krishtin, për të na liruar e shpëtuar nga pushtimi e të Keqit. Jezusi fiton mbi djallin, e mposht pushtetin e tij me dëgjesën e plotë ndaj Atit Hyjnor, me realizmin e vullnetit të Tij Hyjnor, me Udhën e Kalvarit, do të thotë me mundime, me vdekje mbi kryq e me Ngjallje prej së vdekurish. Ai, Jezusi i Gjallë është e mbetët caku i jetës sonë, është edhe caku i udhës kreshmore, sepse kjo kohë e fortë shpirtërore, na thotë Kisha, është kohë e kthimit tek Zoti, që do të thotë është lutje, pendese, agjërimi e përtëritje.
Fjala e Zotit e kësaj së diele të parë të Kreshmëve na fton t’i qëndrojmë besnik Zotit, të luftojmë të Keqin e të këqijat, të përballojmë tundimet djallëzore sipas shembullit e mësimit të Jezu Krishtit, të ecim gjurmëve të Tij, t’i përmbahemi mësimeve të Tij e kështu me dhe në Të edhe ne do të ngadhënjejmë në fuqinë e Dritës së Ngjalljes së Tij.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtini frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë. Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje, e në të e vendoi njeriun që e kishtë krijuar. Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë, e në midis të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes.
Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”
Gruaja i përgjigji: “Ne i hamë frytet e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në midis të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim.”
Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. Madje Hyji e di se kur do të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen.”
Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Mandej i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. Atëherë iu hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.

Fjala e Zotit

Psalmi 51 (50)

Ref:
Na fal, o Zot, sepse kemi mëkatuar

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
_____________________________

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.
_____________________________

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
_____________________________

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
____________________________


Leximi i dytë (Rom 5, 12-19)

Para ardhjes së Krishtit njerëzimi kishte si kryetar Adamin, njeriun e mëkatit. Njerëzimi tashmë ka një kryetar tjetër. Adami i vjetër e ka humbur fuqinë e tij; ligji i tij, i themeluar mbi rebelimin ndaj Zotit që sillte vdekjen, u shfuqizua.
Pushteti tani është në duart e Krishtit që fitoi mbi vdekjen dhe na bashkon me Hyjin në drejtësi dhe në hir. Ata që pranojnë kryetarin e ri dhe ligjin e tij kalojnë nga vdekja në jetë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan... – në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj, prapë vdekja mbretëronte qysh prej Adamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte.
Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë në hir të një Njeriu të vetëm – Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja – për shkak të një njeriu të vetëm – me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin – Jezu Krishtin.
Prandaj, mëkati i njërit – dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit – të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë

Fjala e Zotit

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjalë që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

V Ungjilli (Mt 4, 1-11)

Jezusi prezantohet mes mëkatarëve për tu pagëzuar nga Gjoni, fillon udhëtimin e tij në shkretëtirë dhe vihet nën tundimin e djallit. Ai fiton, sepse fjala e Hyjit është udhëheqja e tij. Fitorja e vetme e vërtetë, e mundshme për njeriun, është ajo e bindjes ndaj dashurisë së Zotit.
Kur mendojmë se Jezusi është një magjistar i plotëfuqishëm, i aftë të shndërrojë gurët në bukë, të zotërojë pasuritë e kësaj bote dhe të fluturojë, ne sillemi si Djalli: harrojmë që Jezusi është mishëruar duke pranuar jetën njerëzore me të gjitha pasojat e saj.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas
Mateut

Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkreti që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit.
Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”
Por Jezusi i përgjigj: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’.”
Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Për ty Hyji do t’ju urdhërojë engjëjve të vet, dhe ata do të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur’!”
Jezusi i përgjigji: “Porse Shkrimi shenjt thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd’!” Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: “Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.”
Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djallë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbej vetëm Atij’!” Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
Fjala e Zotit

E tani më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së Parë të Krezhmëve mund të dëgjoni këtu programin tonë......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.