2011-03-11 14:06:44

Pakistani nderon zyrtarisht kujtimin e ministrit katolik të vrarë


(11.03.2011 RV)Rrugët që do të çojnë në fshatin e Kushphurit, në Penxhab, do të marrin emrin e Shahbaz Batit, ministrit katolik të vrarë në Pakistan. Gjithashtu, presidenti pakistanez Ali Zardari ka ndërmend t’i japë Bhatit titullin “Hilal-e-Shuja’at”, që vlerëson personalitete të shquara të vendit, të cilët janë dalluar për shërbimet e tye ndaj kombit. Këto janë format me të cilat institucionet e Pakistanit dëshirojnë të nderojnë kujtimin e ish-ministrit për pakicat fetare, që u vra më 2 mars nga fondamentalistët islamikë, në Islamabad.
Ndërkaq, të krishterët vazhdojnë të organizojnë takime lutjesh dhe ceremoni përkujtimore, duke lexuar e përhapur testamentin shpirtëror të Shahbaz Batit. Dje, u mbajt një takim lutjeje në Karaçi, ku Bati u cilësua si “martir” nga personalitetet kishtare e civile të pranishme. Ndërsa në Lahore, u zhvillua një ceremoni ndërfetare, ku morën pjesë krerë të krishterë e myslimanë, si edhe aktivistë për të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.