Në Japoni, tërmeti e tsunami shkaktojnë 1400 të vdekur
Një dridhje e fuqishme e tokës, më e forta e shtatë viteve të fundit, ka goditur verilindjen
e Japonisë. Pas gjysmë ore një tjetër dridhje. Situata është e rëndë. Sipas bilancit
të parë të përkohshëm, viktimat janë 1400, sipas mediave japoneze 700 viktima. I madh
është edhe numri i të plagosurve në Japoninë verilindore, posaçërisht në prefekturën
e Miyagit, por edhe në Tokio, pas tërmetit që goditi brigjet.
Sipas qendrës
së kontrollit gjeologjik, lëkundja ka pasur një intensitet me magnitutë 8.9 të shkallës
Rihter. I menjëhershëm alarmi i tsunamit u dha nga autoritet japoneze, që kanë lajmëruar
për valën e lartë të ujërave deri në 10 metra. Një tjetër valë e tsunamit është regjistruar
brenda Oqeanit Paqësor: nga Siberia e deri në ishujt Kurili në Rusi e deri në Havaj,
e në jug të Filipineve e në Papua-Guinea e Re, duke kaluar për Mariane e Mikronezi.
Sipas
ekspertëve, tërmeti e pati epiqendrën në det, 130 km nga brigjet, në një thellësi
prej 24 km. Viktima janë regjistruar në prefekturën Ibaraki, në Sendai City, në prefekturën
Miyagi dhe Tokio. Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, tha se tërmeti ka shkaktuar
“dëme tejet të mëdha”. Pamjet nga helikopteri tregojnë vërshimet në qytetet verilindore
të bregdetit, ku valët e tsunamit kanë marrë çdo gjë me vete. Nga pasojat e tërmetit
janë shkaktuar zjarre, përfshirë edhe atë në një rafineri të naftës në Tokio dhe në
një uzinë metalike. Disa centrale bërthamore janë mbyllur automatikisht, por ekziston
problemi i ftohjes së lëndve radioaktive, pasi janë prishur ftohësit. SHBA-të e kanë
furnizuar Japoninë me lëng ftohës, por rreziku nuk ka kaluar ende.