2011-03-11 16:02:50

Ekonomia dhe humanizmi, në qendër të takimit të kardinalit Ravazi me ambasadorët aziatikë.


Ekonomia e mirëqenia e njeriut: kjo ishte tema kryesore e takimit, që u mbajt dje në Selinë e Këshillit Papnor të Kulturës, me ambasadorët e Selisë së Shenjtë, përfaqësues të vendeve të ndryshme të Azisë. Takim me pjesëmarrje masive, organizuar nga kryetari i Dikasterit vatikanas të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi.
“Njeriu shkatërrohet, në se e koncepton pasurinë pa punë; ekonominë, pa njeriun”: me këto fjalë e hapi kardinali Ravazi takimin, kushtuar zhvillimit ekonomik në shërbim të mirëqenies së vërtetë të të gjithë njerëzve.
Më pas, ambasadori i Koresë, Tomas Hong-Soon Han, duke e parë realitetin me sytë e ekonomistit, profesion që ushtronte para se të hynte në shërbimin diplomatik, përshkroi një botë përplot me padrejtësi:
“One billion…”
Një miliard njerëz në botë nuk kanë ujë të pijshëm e miliona gra e kalojnë gati gjithë ditën në kërkim të një vendi, ku mund të gjejnë një pikë ujë të pastër.
Këtë theksoi ambasadori i Koresë pranë Selisë Apostolike, i cili foli edhe me shifra, duke kujtuar probleme të tjera të mprehta, që e kërcënojnë jetën njerëzore:
“Femal selection procces…
Seleksionimi dhe vrasja e fetuseve të seksit femëror është praktikë e zakonshme në shumë vende aziatike - kujtoi ambasadori-ekonomist.
Më pas, përmes diskutimeve të shumta, u theksua se fjala golobalizim nuk duhet të rimojë me fjalën mënjanim e se nuk duhet harruar edhe një formë tjetër e varfërisë, mungesa e të drejtave themelore të njeriut. U prekën edhe tema të tjera të rëndësishme, si dialogu ndërmjet kulturave, që duhet t’i kapërcejë kufizimet e krijuara nga burokracia, tipike në marrëdhëniet ndërmjet shteteve.
Për qëllimet kësaj nisme, folëm me kardinalin Ravazi: në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Mbi të gjitha, ky takim ka një aspekt me karakter të përgjithshëm: është pjesë përbërëse e projektit të dialogut me të gjitha kulturat më të spikatura, edhe jashtë horizontit ngushtësisht kristian. Bota e Azisë dallohet tashmë për dukjen në horizont të figurave tejet të rëndësishme në këndvështrimin ekonomik, politik e kulturor. Kujtojmë vetëm shembullin e Kinës e të Indisë. Brenda këtij projekti, ka rëndësi të veçantë që këtyre popujve t’u paraqitet edhe vizioni i krishterë, vizon që ka shumë të përbashkëta me kulturat karakteristike të këtyre kombeve, pa harruar edhe origjinalitetin. Në radhë të parë, ka të përbashkët dinjitetin dhe madhështinë e njeriut; temën e lirisë, temën e vlerave të mëdha njerëzore, temën e etës, e edhe temën e dashurisë, të vdekjes, të dhimbjes, të së keqes... Janë të shumta këto tema, formojnë një yjësi të vërtetë, me shumë yje, ndërmjet të cilëve ndriçon dukshëm përmasa ekonomike e shoqërore.

Pyetje: - Në botën e globalizuar distancat zbehen gjithnjë më shumë; njerëzit e ndjejnë veten më pranë njëri-tjetrit. E edhe Azia e largët, nuk duhet më aq e largët. Mjafton një klik në internet, e Azia të duket fare pranë. E kur e ke tjetrin pranë, e ndjen më fort nevojën për të shndërruar dy fjalë, për të dialoguar. Cila do të ishte tema më e bukur, për ta nisur këtë bisedë miqësore?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, rikthehemi tek tema e ekonomisë. Ekonomia deri pak kohë më parë përfaqësonte – e mund të themi se vijon të përfaqësojë - sidomos problemet e tipit tekniko-modelistik, marrëdhëniet ekonomiko-financiare, monetare, ligjore, tregtare, e kështu me radhë. Por sot të gjithë e dimë se në ekonomi ekziston një rrymë e fortë, në nivel teorik – e këtu kujtojmë personalitete, si indiani Amartya Sen ose amerikani Joseph Stiglitz – që nis të shikojë në ekonomi përmasën njerëzore, përmasën etike, e kështu i kushton vëmendje të madhe studimit të ligjeve, nomos e oikos, domethënë shtëpisë botërore, ku banojmë ne të gjithë. Për këtë arsye, në këto studime hyjnë edhe vlerat tipike njerëzore, vlera të cilat prekin të gjitha problemet e mëdha, që njerëzimi vijon t’i propozojë vazhdimisht: mendojmë këtu për problemin e jetës, të mbijetesës, të lirisë, të djersës që duhet derdhur për të jetuar, të shpërndarjes së pasurive në përmasa globale.

Pyetje: - Azia, për fat të keq, kohët e fundit ka zënë kryet e vendit në kronikat, për episodet e diskriminimit e të dhunës kundër të krishterëve. A mund të preket edhe kjo çështje kaq e rëndësishme, në takime si ky, që organizuat ju?

Përgjigje: - Natyrisht, ne mendojmë ta trajtojmë edhe këtë çështje, sepse është një nga më themeloret, kur flitet për marrëdhëniet ndërkulturore, e jo vetëm shumëkulturore. Nuk bëhet fjalë për popuj, që duhet të jetojnë pranë njëri-tjetrit, për bashkëjetesë të thjeshtë paqësore ndërmjet tyre, por për popuj që duan të hyjnë në dialog, duan të merren vesh, t’i transmetojnë pasurinë e vlerave njëri-tjetrit.Prandaj përpiqemi që, nëpërmjet ambasadorëve të këtyre shteteve, të ecet sa më me sukses në këtë drejtim.







All the contents on this site are copyrighted ©.