Shqipëri: raporti paraprak i OSBE/ODIHR, zgjedhjet e 8 majit me standarde të rrezikuara
Standardet e zgjedhjeve lokale të 8 majit janë që tani të cenuara. Raporti paraprak
i OSBE/ODIHR konstaton disa probleme serioze në zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Raporti
konstaton se mjedisi politik vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar, mes partive
politike ka mosbesim dhe një KQZ e ndarë në vija partiake. Në një situatë të tillë,
misioni i rekomandon ardhjen në Shqipëri të 400 vëzhguesve afatshkurtër, për të
monitoruar procesin elektoral të 8 majit por dhe gjithë procesin e numërimit. Misioni
i vëzhguesve vizitoi Tiranën nga data 17- deri më 21 janar 2011 me kërkesë të vetë
misionit të përhershëm të OSBE në Shqipëri, drejtuar Zyrës së OSBE për Institucionet
Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut. Qëllimi i misionit ishte për të vlerësuar mjedisin
e para-zgjedhore dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore. Më pas në bazë të konkluzioneve
misioni do të vendoste mbi aktivitetet e OSBE/ODIHR lidhur me zgjedhjet dhe nëse po
çfarë lloj veprimtarie do të ishte. Raporti nis me përshkrimin e situatës politike
në Shqipëri e cila vazhdon të jetë thellësisht i polarizuar me retorika të ashpra
dhe sulme personale nga drejtuesit e partive kryesore. "Përveç kësaj protesta anti
qeveritare e 21 janarit u kthye në një protestë të dhunshme ku shumë protestues u
plagosen dhe të tjerë humbën jetën”, nënvizon raporti Raporti konstaton gjithashtu
se pjesa më e madhe e retorikës fokusohet në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare
te vitit 2009 dhe korrupsioni. Ne raport thuhet se edhe pse rekomandimet e OSBE- ODIHR
janë implementuar që nga zgjedhjet parlamentare të 2009, ka një sërë çështjesh të
tjera të cilat mbeten ende të paadresuara. "Më e rëndësishmja, është se Partitë duhet
të demonstrojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe të vënë
mbi të gjitha interesat e përgjithshme për Shqipërinë”, thuhet në raport. KQZ po
ndahet në vija partiake Duke iu referuar punës së KQZ raporti nënvizon se pavarësisht
obligimit të anëtarëve të KQZ për të përmbushur detyrat në një mënyrë të pavarur,
përgatitjet për zgjedhjet lokale kanë bërë që KQZ të ndahet në vija partiake. “Anëtarët
e opozitës në KQZ nuk kanë marrë pjesë apo janë larguar nga disa takime të KQZ dhe
praktika e udhëzimeve të bashkëfirmosura nga kryetari i KQZ apo zëvendës kryetari
i KQZ duket se është ndërprerë”, thuhet në raport, i cili i bën thirrje Kryetarit
e zv.kryetarit të KQZ të bashkëpunojnë. Misioni ka ngritur shqetësime dhe në lidhje
me listat zgjedhore, ndërsa konstaton se çështja e kartave të identitetit, e cila
ishte temë debati mes partive politike para zgjedhjeve të 2009, nuk përmendet më.
Për pjesëmarrjen e grave raporti kujton se nëse partitë dështojnë zbatojnë ligjin
atëherë duhet të gjobiten. Sa i përket procesit të medias misioni i vlerësimit vëzhgon
se të gjitha mediat janë perceptuar gjerësisht si një linjë me një nga dy partitë
kryesore dhe mbulimet e tyre janë shumë të politizuara. Ndërsa pasqyrimi i fushatës
elektorale është i parashikuar në Kodin Zgjedhor.